Në katër komunat në veri të Kosovës, sot ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Prishtinës.
Kështu ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës po bëhet lidhja e kontratave.
Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen por është thënë se pagesat do të dalin në llogaritë e punëtorëve në dhjetor.
Megjithatë, në komunikatë është thënë se këta punëtorë do t’i kenë nga shteti i Serbisë të gjitha të ardhurat që kanë marrë nga institucionet e Kosovës.
“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në komunikatë.
Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë Policinë, Gjykatën, Prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.
Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë numrin e saktë të serbëve të dorëhequr por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se numri i tyre është rreth 3.500.
Sipas njoftimit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me këto kontrata, serbët që kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore etj…/REL
Diskutime rreth kësaj post