Pavel Prigozhin, djali i themeluesit të ndjerë të grupit rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, mori drejtimin e mercenarëve, i cili vazhdoi të rekrutonte ushtarë në qytetet ruse të Perm dhe Novosibirsk.
Sipas mediave ruse, Wagner tani është një njësi e Gardës Kombëtare Ruse (Rosgvardiya).
Në kanalin Telegram të lidhur me Pavel Prigozhin, u njoftua se të gjithë anëtarëve të Wagnerit iu kërkua të nënshkruanin kontrata individuale me Ministrinë e Mbrojtjes.
Njësia e re do të ketë një bazë krejt të re që do të ndërtohet nga e para në Qarkun Ushtarak Verior.
Megjithatë, struktura, komandantët dhe mënyra e ndërveprimit mes luftëtarëve do të mbeten të pandryshuara.
Në njoftimin për shtyp të grupit thuhet se aktualisht janë duke rekrutuar djem të rinj.
Pavel Prigozhin u bë udhëheqësi i grupit pasi babai i tij, Yevgeny vdiq më 23 gusht në një aksident aeroplani, i cili u rrëzua gjatë një fluturimi nga Sheremetyevo në Shën Petersburg, ku mbetën të vdekur të gjithë pasagjerët, përfshirë anëtarët e ekuipazhit.
Yevgeny Prigozhin tha një herë se djali i tij, Pavel ka kryer shërbimin ushtarak dhe se një muaj pas diplomimit, ai shkoi në Siri si pjesë e Wagnerit, ku qëndroi deri në muajin shtator të vitit 2022. Atij iu dha Kryqi i Zi i Wagnerit për shërbimin ushtarak.
“Djali im hyri në ushtri në moshën 18-vjeçare dhe shërbeu me nder. Një muaj pasi ushtria shkoi për të luftuar në Siri, ai ka qenë dhe është vazhdimisht në qendër të vëmendjes së PMC të Wagner-it, ku mori Kryqin e parë të Zi”, kishte deklaruar atëkohë themeluesi i Wagnerit.
U spekulua gjithashtu se Pavel ishte në Ukrainë me Wagnerin, bazuar në një fotografi që po qarkullon në rrjetet sociale, ku ai shihet përballë një hoteli në Luhansk.
Madje u spekulua se ai vdiq në sulmin në hotel, por këtë e mohoi babai i tij, Yevgeny.
Besohet se Pavel Prigozhin (25), i njohur si Prigozhin Junior, përveç pozicionit si drejtues në Wagner, trashëgoi të gjithë pasurinë përrallore dhe perandorinë e biznesit të babait të tij.
Në media u shfaqën raporte se Paveli trashëgoi gjithashtu 115.3 milionë euro, një shtëpi trekatëshe në Shën Petersburg, nëntë shoqëri aksionare dhe aksione në Concord dhe një perandori hotelieri.
E gjithë kjo erdhi si pasojë e publikimit të një fotografie të një testamentit, i cili pretendohet se është shkruar nga Yevgeny Prigozhin dhe mban datën 2 mars.
Në këtë dokument, i cili nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, thuhet se shkruhet se “unë ia lë të gjithë pronën time…si dhe pasurinë që mund të fitoj në të ardhmen Pavel Yevgenievich Prigozhin”.
Kujtojmë se edhe para vdekjes së të atit, 25-vjeçari kontrollonte disa kompani dhe komplekse të pasurive të paluajtshme luksoze në Shën Petersburg, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të SHBA-së, e cila vendosi sanksione ndaj Prigozhin Junior.
Përveç SHBA-së, sanksione ndaj Pavel-it i vendosën edhe Kanada, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.
Pavel Prigozhin lindi në 18 qershor të vitit 1998 në Shën Petersburg.
Si fëmija i mesëm në familje, ai u rrit së bashku me motrat e tij, Polina dhe Veronika.
Familja Prigozhin shmangu publicitetin për një kohë të gjatë, Yevgeny Prigozhin nuk zbuloi detajet e jetës personale të të afërmve të tij.
Disa episode nga biografia e Pavelit u shfaqën rrallë në media ndërsa Yevgeny fliste për të herë pas here.
Karriera sipërmarrëse e Pavel Prigozhinit filloi në vitin 2018, kur ai u bë themeluesi i Beta.
Gradualisht biznesi i tij u zgjerua dhe që nga viti 2020, ai drejton hotelin Lakhta Plaza.
Prigozhin Jr ka lidhje me galerinë e artit “Colors of Life”, e cila drejtohet nga Violeta Prigozhina, nëna e Yevgeny Prigozhin.
Bashkëpunon me korporatën e naftës dhe gazit Gazprom; kompanitë e tij janë të përfshira në ndërtimin e pasurive të patundshme luksoze në Shën Petersburg. Ai është gjithashtu pronar i Lakhta Park, një kompleks i madh banimi.
Pavel Prigozhin është i martuar me Ekaterina Inkina, vajza e Sergei Inkina, një manjati bankar nga Shën Petersburgu.
Diskutime rreth kësaj post