Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka zbardhur debatet që ka bërë me Bashën sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.
I ftuar në një emision televiziv, Noka tha se PD po shkatërrohet pas vendimit të Lulzim Bashës për të përjashtuar nga PD liderin historik Sali Berisha.
“Debati ka qenë shumë i gjatë, i mbështetur me parim. E kam kundërshtuar se nuk mund të pranoja që të diskutonim çështje të rendit sikur nuk ka ndodhur asgjë. I kam kërkuar që çështjet të sqarohen dhe të trajtohen. Është zgjidhja më e mirë që baza të diskutojë. I kam qëndruar që ditën e parë kësaj ideje. Në debatet e shumta, Basha kundërshtoi idenë e respektimit të statutit. Kundërshtoi idenë e një Kongresi të jashtëzakonshëm, citoj: Nuk lejoj Kongres anti-amerikan. Berisha është lideri historik se i ka sjellë 3 herë fitoren, 80% e bazës është me të, vetëm ai mund të sjellë fitoren sërish PD-së. Jam dakord tha. I thashë që kjo që thatë ju është diabolizëm ekstrem ndaj PD-së, këtë nuk ka guxuar t’ja thonë as kundërshtarët. I thashë ndalojeni këtë se po shkatërroni PD-së sepse po thoni që keni drejtuar prej 8 vitesh një parti anti-amerikane. Ndërkohë që iu bëj me dije se këtë parti na ka mbledhur ëndrra amerikane. Na ka mbledhur shpresa për të implementuar demokracinë, pra pro-amerikani më i madh ka qenë tek Berisha. Kush ka qenë anti-amerikan, ka kaluar tek partia tjetër. Ramë dakord që të mos e bënim publik debatin, por kur mora vesh njoftimin e PD, detyrohem që të them të vërtetën. I thashë që partia është e përçarë se ke marrë një vendim kundër 80% të anëtarësisë. Duke pasur Sali Berishën e 80% nuk e munde Ramën, si do e mundësh pa Berishën. Si mund ta drejtosh partinë nëse nuk je kryetari i shumicës, kur 80% e mbështesin Berishën”, tha Noka.
Diskutime rreth kësaj post