Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se një dakordësi me Greqinë për të çuar në Hagë çështjen e detit është arritur që në kohën e qeverisë së tij, kur në Greqi drejtonte Pasok.
“Në vitin 2009 është nënshkruar një marrëveshje me Greqinë të cilën Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë.
Pas udhëzimit nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010, ka qenë qeveria e Pasokut që ka insistuar të rinegociojë. Ju kemi bërë të qartë që nuk ka rinegocim me parimin që përcakonte gjykata ndaj le të shkojme në Gjykatën e Hagës. Pas hezitimesh dhe përpjekjesh ata u bindën se duhet të shkojnë. Pas tyre erdhi në pushtet Antonis Samaras, i cili ra plotësisht dakord që t’i drejtohet Gjykatës në Hagë”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se kjo marrëveshje që u konfirmua edhe nga Kryeministri Samaras, iu bë e ditur qeverisë pasardhëse në vitin 2013 kur Partia Demokratike u largua nga qeverisja.
“Dy qeveritë ranë dakord të shkonin në Hagë. U mor dhe një kompani e huaj për të bërë ekspertizën, jo vetëm të marrëveshjes, por edhe sugjerimet për çështjen e Gjykatës. Dhe pastaj u ndërrua pushteti dhe unë këtë dakorëdësi ja përcolla atyre që erdhën në pushtet. Unë tani kam të drejtë të shtroj një pyetje për çdo shqiptar: Sot Ministri i Jashtëm i Greqisë dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ranë dakord të shkojnë në Hagë. Tani, çdo shqiptar t’i shtroj pyetjen vetes: Si ishte më mirë për Shqipërinë kur shkonte në Hagë me Greqinë 6 miljë apo sot që shkon në hagë me Greqinë 12 milje”, – tha Berisha duke përmendur edhe një herë se marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua nga gjykata duke përdorur një hartë të falsifikuar.
Diskutime rreth kësaj post