Deputetja Mesila Doda ka ngritur Çështjen Çame në Unionin Ndërparlamentar që mblidhet në Gjenevë të Zvicrës. Para deputetëve nga e gjithë bota, ajo ka rrëfyer historinë e Çamërisë. Deputetja Doda kujtoj Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
“Ende sot e kësaj dite shqiptarët e Çamërisë nuk kanë shtëpitë, tokat e pronat e tyre. Unë sot e shtroj këtë çështje në këtë Asamble, sepse askush më mirë se parlamentarët nuk mundet të kuptojë dramën e pazbardhur dhe zërin e heshtur të të drejtave njerëzore”, është shprehur deputetja e PDIU në Unionin Ndërparlamentar në Gjenevë.
Botojmë fjalën e plotë të deputetes Mesila Doda:
Është një rast i jashtëzakonshëm për mua të jem sot e pranishme në këtë seancë, në të cilën flitet për thelbin e qytetërimit tonë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe pasojat katastrofike që sjell pashmangshmërisht mosrespektimi i tyre. Historia e njerëzimit njeh shembuj të panumërta të cënimit të tyre, shembuj të afërt e të largët, por unë dua të sjell sot para jush një histori personale, që vjen nga një tragjedi genocidi e përjetuar nga rreth 30.000 shqiptarëve të Çamërisë, krahinës që sot përfshihet në Greqinë e Veriut. Këta njerëz jetuan, u torturuan dhe në fund u deportuan duke humbur çdo të drejtë njerëzore përfshirë edhe jetën në spastrimin etnik që bandat pronaziste të kohës bënë me to.
Tash siç e thashë qysh në fillim kjo histori më përket personalisht. Sot, im bir nuk gëzon dot asnjë nga të drejtat që duhet të kishte të trashëguar nga gjyshi i tij. Nuk e ka nënshtetësinë, shtëpinë dhe pronat e gjyshërve të tij, nuk mundet të kërkojë të drejtat që rrjedhin nga kjo trashëgimi, sepse shteti grek mban në këmbë ende një Ligj Lufte të shpallur nga Mbreti i Greqisë në vitin 1940 dhe e përdor këtë si një modalitet juridik që të gjithë trashgimtarët e shqiptarëve të Çamërisë të mos e përdorin dot kërkimin e të drejtës në gjykatat e shtetit grek dhe më tutje në atë të Strasburgut. Ndërkohë, të drejtat e njeriut mbeten të dhunuara, genocidi mbetet i padënuar.
Do e nis me dy Konventa të OKB; Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimeve te Genocidit 1945 dhe Konventën për Krimet e luftës 1968.
Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare dhe kanë firmosur në të dyja këto Konventa. Në to përcaktohen qartë detyrimet e shteteve anëtare për të zbardhur dhe dënuar çdo formë të krimeve të luftës dhe ato të spastrimit të një etnie, race apo grupimi tjetër. Në to përcaktohen edhe mosamnistimi, sepse janë vepra me pasoja të rënda për njerëzimin, ndaj kjo çështje nuk është tabu, duhet të respektojmë konventat ndërkombëtare dhe të zbardhim njëherë e përgjithmonë çdo vrer e krim mes nesh, sepse e vërteta dhe vetëm e vërteta do krijojë mes nesh atë energji pozitive që do çlironte marrëdhëniet tona. Sepse, e vërteta dhe vetëm ajo do çlironte shtetin fqinj nga demonët e të shkuarës.
Tash po kaloj tek akti më i rëndësishëm ndërkombëtar; Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore:
Artikulli 2 – E drejta e jetës mbron të drejtën e çdo personi për të jetuar.
Ky nen është shkelur, i është mohuar e drejta e jetës mbi 3000 burrave, grave e fëmijëve.
Artikulli 3 – Ndalimi i torturës ndalon torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin çnjerëzor apo degradues.
Dëshmitë gojore, ato të ushtrive aleate dhe gjithë të afërmve të viktimave dëshmojnë për dhunimin e këtij neni.
Artikulli 5 – Liria parashikon se gjithkush ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë së personit.
25.000 persona u shtrënguan të shpërngulen në kushtet e një pasigurie të lartë dhe terrori, ndaj ky nen u dhunua.
Artikulli 9 – Liria e ndërgjegjes dhe e fesë. Shqiptarët u vranë dhe u përzunë për shkak të etnisë, por edhe religjionit islam që ata i përkisnin. Unë vetë jam katolike romake, por asgjë nuk do të më pengojë të respektoj të vërtetën dhe besimin e tjetrit. Qytetërimi ynë është ndërtuar mbi këtë bazë respekti.
Artikulli 14 – Ndalimi i diskriminimit, ndalon diskriminimin në bazë të “gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimit politik apo mendimeve të tjetra, origjinës kombëtare apo klasore, përkatësisë në një minoritet kombëtar, pronës, lindja apo ndonjë status tjetër.
Protokolli 1 Artikulli 1 i Konventës,
E drejta e pronës garanton të drejtën e gëzimit paqësor të sendeve në pronësi.
Ende sot e kësaj dite shqiptarët e Çamërisë nuk kanë shtëpitë, tokat e pronat e tyre. Cënimi i kësaj të drejte vazhdon edhe sot. Ata nuk mundet as të vizitojnë shtëpitë, ku kanë lindur, sepse shteti i sotëm grek vazhdon me të njëjtin arbitraritet si atë pararendës.”
Unë vij nga një komb-fisnik mes kombeve. Shqipëria ishte i vetmi vend europian që kishte më shumë hebrenj pas fundit të Luftës së Dytë Botërore sesa para luftes. Nuk e them këtë kot. Shqiptarët e Çamërisë u vranë dhe u dëbuan nga Çamëria, porsi u vranë dhe u dëbuan hebrenjtë e Janinës, kryeqendrës së Çamërisë, nga të njëjtët fajtorë, trupat e Napoleon Zervës dhe bashkëpunëtorët nazistë.
Unë vij nga një vend ku religjionet kryesore të vendit myslimanë, ortodoksë e katolikë jetojnë jo thjesht në harmoni por në vëllazëri mes tyre. Ky është vendi im, i cili ka jetuar nëpër një dramë të pashembullt këto 100 vitet e fundit. Shqiptarë të ndarë në pesë shtete, të vrarë, të torturuar, të vjedhur e shumë shpesh pa varre për të nderuar të rënët.
Kjo është historia jonë, kjo është historia edhe e familjes së tim shoqi, të tim biri dhe paraardhësve të tyre. Djali im nuk ka mëri. E ka falur shtetin grek për masakrën historike. Por sot, shteti grek vijon të jetë në anën e gabuar të hisorisë, duke arsyetuar vrasjet mostruoze pa kërkuar ndjesë dhe duke mos pranuar të lejojë rikthimin e këtyre njerëzve në shtëpitë e tyre dhe rikthimmin e të drejtave të tyre. Thënë ndryshe shteti grek vijon të barazojë veten me regjimet hitleriane dhe staliniste dhe jo me Gjermaninë demokratike dhe Ukrainën demokratike, Kroacinë europiane, shtete këto që i kanë zgjidhur çështje të tilla të ngjashme me histori minoritetesh genocidiale.
Prandaj, unë sot e shtroj këtë çështje në këtë Asamble, sepse askush më mirë se parlamentarët nuk mundet të kuptojë dramën e pazbardhur dhe zërin e heshtur të të drejtave njerëzore.
Diskutime rreth kësaj post