Çështja e arrestimit të Fredi Belerit vijon të mbetet e nxehtë aq sa prodhoi një diskutim të tensionuar midis kryeministrit së Shqipërisë Edi Rama dhe homologut grek Kyriakos Mitsotakis në margjinat e Samitit të fundit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
“Akujt” në raportin Tiranë-Athinë duken të vështirë për t’u thyer, teksa Mitsotakis i meshon vetos greke për negociatat dhe Rama bën “be” mbi drejtësinë e pavarur, të cilës nuk mund t’i imponohet askush, raporton A2 CNN duke përmendur gazetën greke “Kathimerini”.
Në këto kushte, duket se ka një shqetësim në opinionin grek për faktin se ndryshe nga herët e tjera Perëndimi, pra aksi BE-SHBA mbështet kryeministrin shqiptar duke kërkuar t’i japin një zgjidhje krizës.
Këtë më së miri e ka shprehur gazeta greke “Kathimerini” në një koment të zgjeruar mbi çështjen Beleri, ku analizon veton e Greqisë ndaj Shqipërisë dhe rolin e kryeministrit Edi Rama.
Në artikull nënvizohet se Bashkimi Evropian nuk është me Greqinë në çështjen Beleri, e në veçanti kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili e ka shprehur hapur qëndrimin e tij, se betimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe hetimi për të është çështje e drejtësisë.
“Kathimerini” rreket t’ia atribuojë influencës së Ramës dhe bllokadës së tij ndaj islamizmit të Erdogan (edhe pse e ka mik Presidentin turk), mbështetjen e europianëve për shefin e qeverisë së Shqipërisë.
Artikulli i Kathimerini:
Vetoja greke
Paralajmërimi i Athinës se do të ushtrojë të drejtën e vetos për të penguar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian midis Brukselit dhe Tiranës, duket se nuk e ka trembur aspak kryeministrin shqiptar në hakmarrjen e tij ndaj Belerit. Rama, në fakt, duket se ka mbajtur një qëndrim sfidues ndaj nxitjeve evropiane për një rezolutë për këtë çështje, duke thënë: “Edhe nëse Këshilli Europian do të kthehej përmbys, ne nuk jemi të hapur për asnjë negociatë që bie ndesh me interesin strategjik të Shqipërisë, që është zbatimi i reformës në drejtësi dhe ruajtja e pavarësisë së institucioneve të saj të drejtësisë.”
Intransigjenca e tij është forcuar më tej nga referenca e kancelarit gjerman Olaf Scholz se çështja është një “mosmarrëveshje dypalëshe” dhe që nuk lidhet me kërkesat e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit në procesin e anëtarësimit.
Por nga buron gjithë kjo dashuri për Ramën? Pse evropianët dhe amerikanët janë të gatshëm ta hedhin Greqinë nën rrota kur ajo është aleati i tyre më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Evropën Juglindore?
Kryeministri shqiptar duket se ka bërë një punë të mirë duke i bindur se kjo është një çështje dypalëshe, një çështje e thjeshtë penale që i takon vetëm sistemit të drejtësisë së vendit dhe se ky sistem drejtësie është padiskutim i pavarur. Ai nuk humbet asnjëherë rastin, kur komenton çështjen Beleri, t’u kujtojë evropianëve se prokuroria, gjykatat dhe policia shqiptare aspirojnë standardet e vendosura nga Europa dhe se ai nuk ka të drejtë të ndërhyjë.
Tabloja e madhe
Përtej “tablosë së vogël” lidhur me çështjen ndaj Belerit, megjithatë, ekziston një “tablo e madhe” në të cilën Rama shihet si bashkëbiseduesi i favorizuar i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri dinak vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Kryesisht, megjithatë, ai e paraqet veten si një politikan me ndikim, e me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar zhvillimet e rrezikshme në Kosovën e trazuar, sipas dëshirës së Perëndimit, dhe, në përgjithësi, me aftësinë për të manipuluar tendencat secesioniste në mesin e 7 milionë shqiptarëve etnikë që jetojnë në Ballkan.
Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë. Mund të mos e thotë me zë të lartë, por Perëndimi sheh te Rama edhe një kryeministër pro-evropian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamizimi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik. Në fund të fundit, ai ka treguar se do të bëjë atë që i kërkohet. Të tilla si, për shembull, pranimi i skemës së kryeministres italiane Giorgia Meloni që Shqipëria të presë disa mijëra emigrantë dhe refugjatë që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Afrika.
Diskutime rreth kësaj post