100 vite pas censit të parë, shqiptarët që jetojnë brenda territorit do të pyeten për herë të 12-të për të dhënat e tyre personale dhe pronave që disponojnë.
Për 6 javë duke nisur nga data 18 Shtator mbi 500 anketues do të trokasin derë më derë për plotësimin e pyetësorëve që janë përgatitur me ndihmën e ekspertëve gjermanë, zviceranë, francezë e suedezë.
Kryeministri Rama e vlerëson si detyrë patriotike plotësimin e pyetësorit pasi në këtë mënyrë 12 vite pas censit të fundit, ne do të dimë sesa qytetarë jetojnë brenda 28 mijë km të hartës shqiptare.
“Është shumë e rëndësishme numri i shqiptarëve që jetojnë në këëtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë, as që janë pak listat e votuesve të cilat përfshijnë që të gjithë ata që banojnë dhe ata që nuk banojnë aty ndërkohë që realiteti demografik është krejt ndryshe”.
Censuset janë një mënyrë për të mësuar dhe numrin e minoriteteve që ka brenda një shteti, komunitete që sipas kryeministrit në vendin tonë nuk mund të pretendojë se ka raste të shkeljeve të të drejtave dhe aq më pak Shqipëria të marrë leksione nga ndonjë shtet tjetër.
“Jemi në një pozitë që mund ta themi me plot gojën leksione për minoritetet Shqipërisë nuk i jep dot askush. Asnjë vend. Zero”.
Rama ndihet krenar dhe për INSTAT-in që siguron që është i depolitizuar ndryshe nga ç’ishte kur prodhonte shifra të pavërteta.
Plotësimi i pyetësorit për censin është i detyrueshëm. Në rast se refuzon apo jep informacion të rremë atëherë ligji parashikon një gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë të reja, po ashtu dhe në rastet kur refuzon t’i përgjigjesh pyetjes për etninë që i përket, parashikohet sanksion. Në rastet kur anketuesit nuk ju gjejnë në shtëpi herën e parë, atëherë ata lenë shënim pranë banesës për ditën dhe orën kur do të rikthehen. Ata janë detyruar të shkojnë deri në tre herë në çdo banesë.
Në censin e 2011 rezultoi se Shqipëria kishte 2.821.977 banorë.
Diskutime rreth kësaj post