Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka reaguar dje mbi thirrjet e ambasadores amerikane Yuri Kim për të mos lejuar Tom Doshin të jetë kandidat në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ai u shpreh se deklaratat e saj i shërbejnë demokracisë, ndërsa deklaroi se nuk mund të merrej një vendim pa ardhur një verdikt nga prokuroria.
“Për rastin Tom Doshi që shkoi për verifikim kemi pasur indicie si nga burime publike, ashtu edhe nga vetë formulari i dekriminalizimit. Nuk shoh asgjë të keqe tek qëndrimet e ambasadores amerikane, por janë të shëndetshme, pasi interesi është për forcimin e demokracisë në Shqipëri”, tha Celibashi.
Ai u ndal edhe te nisja e fushatës, ku dha disa mesazhe për partitë politike. Ai kërkoi një fushatë të qetë dhe të bëhet sipas përcaktimeve ligjore.
“Në nisje të fushatës zgjedhore e shikoj me vend të sjell në vëmendje të subjekteve zgjedhore, si edhe të gjithë faktorëve të tjerë politikë dhe institucionalë të lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve, që t’u përmbahen angazhimeve dhe parimeve: për të respektuar të drejtat dhe liritë politike të qytetarëve dhe konkurrentëve të tyre;për të zbatuar rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së, për të mos përdorur burimet publike për qëllime elektorale; për të mos u përfshirë në praktika kërcënuese ose penguese për të ushtruar të drejtën e votës dhe shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve,për të refuzuar marrjen pjesë në praktikat e blerjes së votës dhe marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundraligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale; për të bërë publike në kohë reale pranë KQZ-së dhe faqen zyrtare të subjektit politik çfarëdolloj donacioni si dhe të refuzojnë dhurime në mjete monetare apo në natyrë që bien ndesh me dispozitat e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.
Ai u ndal dhe te rreziku i përdorimit të administratës shtetërore në fushatë. Celibashi kërkoi që të mos tentohet një lëvizje e tillë.
“Duke vlerësuar se dispozitat penalizuese që parashikon Kodi Zgjedhor nuk kanë si qëllim në vetvete ndëshkimin administrativ të nëpunësve të administratës publike, por rritjen e përgjegjësisë për zbatimin e ligjit dhe të standardeve ligjore, u bëj thirrje subjekteve zgjedhore, kandidatëve të tyre si dhe nëpunësve të administratës publike që të mos lejojnë në asnjë rrethanë përdorimin politik të detyrës dhe stafit të administratës. Zgjedhësit të përfshihen aktivisht në raportimin dhe denoncimin e rasteve korruptive të shitblerjes së votës dhe financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore”, tha kryekomisioneri.
Diskutime rreth kësaj post