Ministria e Punëve të Jashtme informoi të mërkurën se në kuadër të operacionit të shpëtimit të ekuipazhit të peshkarexhës “Celepia 2”, mes personave të ndaluar në bordin e saj gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet e qëndrueshme.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit për gjetjen dhe bllokimin e peshkarexhës nga Marina egjiptiane dhe transferimin e saj në një port ushtarak në Aleksandri, Ambasada jonë në Egjipt kontaktoi me autoritetet lokale të sigurisë dhe hetimit, të cilat informuan se mes personave të ndaluar në bordin e peshkarexhës gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së.
Ambasada shqiptare në Egjipt po kujdeset për t’i ofruar asistencën konsullore të nevojshme, si dhe në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane, pas përfundimit të hetimit do të japë gjithë ndihmën e mundshme për kthimin e shtetasit Luan Mema në Shqipëri.
Ministria e Jashtme informon se autoritet egjiptiane janë duke punuar për gjetjen e vendndodhjes së shtetasit tjetër shqiptar, Dhimitër Malja si dhe kryerjen e të gjitha procedurave hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarje. Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha organet e tjera të përfshira në këtë operacion shpëtimi sigurojnë opinionin publik për angazhimin maksimal. Ministria e Jashtme falënderon po ashtu autoritetet egjiptiane për ndihmën dhe bashkëpunimin e dëshmuar në këtë situatë.
Diskutime rreth kësaj post