Pas referimeve në prokurori e denoncimeve në polici, për dëmtimet e përsëritura të linjave të energjisë elektrike, të cilat nuk janë përfillur, OSHEE ndërmerr një tjetër hap, nismë ligjore për sanksionet ndaj firmave private.
Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela ndodhej në Laprakë, ku është konstatuar një tjetër rast i dëmtimit të linjave të tensionit të mesëm nga një firmë private, duke lënë pa energji rreth 3500 banorë të zonës së Laprakës.
“Doja t’ju bëj me dije se, po marrim nisma ligjore dhe do t’ia propozojmë edhe Këshillit të Ministrave për të parashikuar sanksione të forta ndaj kompanive që dëmtojnë linjat tona, madje deri në konfiskim të garancive apo ndërprerje të energjisë elektrike të atyre institucioneve që financojnë këto punime. Kjo pasi, jemi duke bërë investime, dhe nga ana tjetër po na dëmtohet imazhi, ku qytetarët me të drejtë ankohen, por nuk e dinë të vërtetën nga kush shkaktohen këto ndërprerje të energjisë elektrike. Në lidhje me kompanitë private, për të evituar çdo dëmtim, po ribëj apel për të disatën herë, që të kontaktojnë OSHEE-në për çdo suport dhe mbështetje të mundshme, pasi nën prezencën tonë, me informacionin ku janë shtrirë fidrat, evitohet dëmtimi i kabullit”, tha z. Çela.
Sipas Çelës vetëm në pesë ditët e para të dhjetorit ka pasur 6 raste të dëmtimit të linjave nga operatorë të tillë privatë. Vetëm në nëntor janë regjistruar 15 raste të kryera nga kompani private për llogari të institucioneve publike.
“OSHEE, nga ana e saj i ka paraqitur këto raste në organet kompetente, por siç duket rezultati është i papërfillshëm. Për rastet e dëmtimeve, kemi thërritur policinë dhe më tej çështja kalon në prokurori, por këtu mbyllet hetimi”, ka thënë Çela.
Diskutime rreth kësaj post