Brokaj nuk e përjashtoi ndikimin e një dore të huaj në lëvizjen e fundit të opozitës, ndërsa kujtoi shërbimet që Sali Berisha ka bërë ndër vite të ndaj interesave serbe.
Ishministri i Mbrojtjes për Shqiptarja.com, shprehu bindjen se ngujimi para Kryeministrisë nuk ka të bëjë me krijimin e një qeverie teknike, por me bllokimin e institucioneve të Vetingut.
Sipas Brokajt, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të vetëdijshëm se do të jenë subjekte të drejtësisë së re, synojnë të shtyjnë Vetingun në një kohë tjetër, me shpresë mund të kenë ndryshuar raportet politike.
Brokaj vlerësoi sjelljen e policisë, e cila sipas tij nuk po ndërhyn që të shkulë çadrën, por po lë qytetarët që të zemërohen me problemet në trafik që ka shkaktuar bllokimi i bulevardit.
Duke iu referuar kërcënimeve të disa përfaqësuese të opozitës se do të përdorin edhe mjetet të tjera për të rrëzuar qeverinë, Brokaj u shpreh se nuk ka frymë dhune, pasi kauza është false dhe si e tillë nuk e ngre moralin e mbështetëse të PD. Megjithatë, duke u nisur nga përvoja 26vjeçare me Berishën, ishministri i Mbrojtjes shtoi se pushteti i majtë duhet të duhet të jetë i përgatitur për çdo provokim dhe skenar.
Brokaj, katër muaj para zgjedhjeve, opozita shqiptare ka radikalizuar aksionin e
saj, duke u ngujuar në një çadër para Kryeministrisë, në përpjekje për rrëzimin e qeverisë. Kemi të bëjmë me një shqetësim real për zgjedhjet e 18 Qershorit apo me një formë presioni për të ndarë pushtetin në tavolinë?
Pikësëpari, opozita nuk besoj se e ka mendjen tek qeveria teknike, por e ka mendjen tek Vetingu. Pra, ajo, çfarëdolloj operacioni që të bëjë, krijimin e një situate jo të stabilizuar, qeveri teknike ose çfarëdolloj zallamahie, synimin primar e ka që të mos bëhet Vetingu apo të shtyhet, në një kohë kur raportet politike të mund të ishin ndryshe. Pra, edhe qeveria teknike, edhe kërkesat e tjera, janë në funksion të Vetingut.
Pse mendoni se opozita është investuar kundër Vetingut?
Dihet gjerësisht se Berisha, Lulzim Basha dhe shumë drejtues e politikanë, edhe gjetkë, por veçanërisht në PD dhe rrotull saj, janë objekt i Vetingut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Kjo është provuar. Ka gati dy vjet që po luftojnë me të gjitha forcat, me të gjitha mënyrat, kanë përdorur të gjitha mënyrat, që ta shmangin Vetingun ose ta deformojnë.
Kështu që, ky është një veprim tjetër i tyre kundër Vetingut, natyrisht shumë i sforcuar, por nuk kanë ç’të bëjnë sepse po e ndjejnë litarin që po u ngushtohet.
Përfaqësues të opozitës kanë paralajmëruar se do të përdoren edhe forma të tjera për largimin e qeverisë. Çfarë nënkuptojnë këto “format e tjera”? Si do të përfundojnë kjo formë proteste?
Nga përvoja e 26 viteve, duhet ditur se, kur Berisha do që të marrë pushtetin apo kur i rrezikohet pushteti, ose ka një synim kardinal (risku i Vetingut), ai bën gjithçka. Pushteti i këtyre socialistëve duhet ta dijë mirë këtë dhe duhet ta parashikojë çdolloj provokimi që mund të bëjë Berisha. Për pushtetin Berisha ka vrarë njerëz. Dihet kjo. Kjo është e pritshme. Megjithatë, frymë për dhune nuk ka.
Kjo protestë e tyre është jashtë një zhvillimi të caktuar politik. Kauza e tyre nuk krijon tension. Nuk krijon, si të thuash, psikozën e luftës politike. Kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në kushtet kur këta nuk merren pikërisht me mekanizimin e zgjedhjeve, që është Kodi Zgjedhor, kuptohet që është një kauzë false. Prandaj, me kauza false nuk ngrihet morali i kontingjenteve politike të PD ose të atyre që e mbështesin atë. Ndaj mendoj se kërcënimet për dhunë, me ata njëqindmijtë që do të bënin çudira etj., ato deklarime të Berishës fshehin në fakt atë mendjen kriminale të tij, por jo se ka mundësi.
Nuk gjen as në Mamurras, siç thoshte dikur, që me 300 veta mund të rrëzonte qeverinë. Ju siguroj që as 30 nuk i bën dot që të ushtrojnë dhunë sot në vitin 2017. Megjithatë, krime dhe situata okulte Berisha krijon, sepse këtë kujtesë na e dikon përvoja më të në 26 vjet: Si provokator deri në vrasje.
Më shumë se sa ndërkombëtarët, duket se janë shqetësuar qytetarët e Tiranës, për shkak të trafikut që ka krijuar bllokimi i bulevardit. Si e vlerësoni ju mosreagimin e policisë?
E para, ndërkombëtar e dinë shumë mirë se ku e kanë këta hallin. Ata vazhdojnë punën e tyre me Vetingun. Ndërkombëtarët po luftojnë që procedura në Parlament të kalojë dhe të mos bëjnë ndonjë lojë votash. Kaq është vëmendja e ndërkombëtarëve, të cilët janë mësuar me palaçollëqet e politikës shqiptare.
Natyrisht, bllokimi i bulevardit i irriton njerëzit, por kam përshtypjen që policia ia ka lënë popullit që të zemërohet me këta protestuesit pa motiv se sa ndërhyjë vetë, duke u futur në vorbullën e protestuesve, për t’i dhënë material Berishës dhe sojit të tij që të reagojnë apo të krijojnë situata dhune. Kështu që, taktika e policisë është që të mos i japë asnjë sebep Berishës për të realizuar elementin e dytë taktik, atë të dhunës apo të provokimit.
Qarkullon një tezë, e sipas të cilës radikalizimi i opozitës është në një gjatësi vale me interesat serbe dhe ruse në Ballkan. A shihni ju ndikimin e një dore të huaj tek ngritja e çadrës para Kryeministrisë?
Po të lexoni intervistat e mia, e kam thënë përherë se Sali Berisha është lojtar i interesave serbe në Shqipëri. Se ku venë interesat serbe në Shqipëri, të gjithë e dinë. Pra ai e ka provuar konkretisht këtë lidhur me konfliktin në Kosovë, lidhur me furnizimin e serbëve me naftë, lidhur me situatat destabilizuese që krijonte në Shqipëri, kur duhet të ishte vëmendja e përqendruar dhe mbështetja për Kosovën.
Kjo është tashmë shumë e njohur dhe ma merr mendja gjerësisht e pranuar. Kjo situatë, natyrisht që u shërben interesave serbe, sidomos në këtë periudhë kur politika serbe dhe ajo ruse kanë ndërmarrë një ofensivë për ta trazuar Ballkanin. Kjo është në sinkron me këto interesa.
Diskutime rreth kësaj post