Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj ka kritikuar disa pika të buxhetit të vitit të ardhshëm, duke vënë theksin te fakti që qeveria duhet të ishte më e përulur, veçanërisht me shtresat e pambrojtura.
Duke folur gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Kuvend, ai tha se teksa flitet për kohë lufte, shpenzimet dhe investimet janë si në kohë paqeje.
“Situatat aktuale duhet ta bëjnë qeverinë shumë më të përulur, shumë më komunikuese me grupet e interesit dhe më kryesorja edhe më transparente dhe të angazhuar realisht në luftën kundër korrupsionit, në menaxhimin dhe mirëpërdorimin e fondeve buxhetore. Është absurde që kur flasim për kohë lufte të programojmë disa investime dhe shpenzime si në kohë paqeje, që të ketë kuptim edhe në këtë rast ajo shprehja e mençur e popullit “shtriji këmbët sa ke jorganin”. Kjo edhe për faktin se këmbanat e krizës energjetike dëgjohen për herë e më pranë si një pandemi e re ekonomike”, tha Xhafaj.
Sipas tij “Buxheti edhe në këto kushte shtrëngese mund dhe duhet të ishte më shumë i fokusuar te grupet e interesit apo xhepin e të pamundurit, veçanërisht te pensionistët pa mbështetje shtesë. Mbi të gjitha duhet të programojmë më mirë disa politika më incentivuese për rininë si kualifikimi teknologjik, mbështetja e bizneseve të reja, shtimi i banesave sociale për çiftet e reja, punësimi i të rinjve, krijimi i lehtësive për bizneset e huaja prodhuese në vend dhe veçanërisht atyre që ofrojnë dhe garantojnë vende të reja pune”.
Diskutime rreth kësaj post