Nga Agim Xhafka
Sot në mëngjes tek kafja erdhi dhe Sul Bushati, ish-drejtues komunist i Veriut të vendit për vite e vite, shoqëruar nga i biri, Ditmir Bushati, sot ministër i Punëve të Jashtme.
U ulën dhe porositën dy kafe ekspres. Mbi tavolinë gjendej një gazetë e ditës. E mori i ati dhe hapi për ta lexuar. Nga larg pashë në faqen e parë me germa të mëdha: Lista e të përndjekurve politikë që përfitojnë këstin e dëmshpërblimit.
Pas një pauze dhe pasi e gjerbën kafen ata u larguan. Ndenja dhe pak e shkova në banak tek Dhori, të paguaja.
Se ai bën vetë dhe kamarierin, edhe banakierin. Të ulë sa më shumë kostot.
Mbi banak i pashë një tufë faturash. Të energjisë, të ujit, të sigurimeve, etj, etj.
-Janë rritur taksat e detyrimet?-e pyeta.
-Normal janë, – më tha dhe qeshi.
U çudita, ndaj e ngacmova.
-Si normal? Ti nuk po mban as kamerier që të ulësh shpenzimet se nuk të del. Apo jo?
-Do rriten patjetër taksat, tatimet dhe çmimet, -filloi. -E di pse? Se ne do paguajmë që Sul Bushati, ai që piu kafe këtu dhe qe çoi në uri popullin, do marrë pension.
Do paguajmë që i biri i tij, sot ministër, të marrë rrogë, dieta, udhëtime, fluturime, benefice. Do paguajmë se ata mijëra që dënoi babai i ministrit duhet të marrin dëmshpërblim. Kuptove pse them janë normal çmimet?
Më bindi. Për ta ngacmuar i thashë:
-Sot është 20 shkurt. Si sot e rrëzuam monumentin e Enverit. Të kujtohet?
-Më kujtohet, por edhe ngatërrohem në fakt. E rrëzuam monumentin vërtet, apo ai na zuri poshtë?
Po më del se na ka hipur sipër. Jo ai vetë, por bijtë, nipërit, kushërinjtë e besniket e vet. Hidhi sytë në çdo zyrë.
Sperma e tij ngado, ngado, ngado…/ Syri.net
Diskutime rreth kësaj post