Pas miratimit të propozimit francez nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, tashmë është e hapur rruga e integrimit të Shqipërisë dhe fqinjit tonë lindor për në BE. Votimi shkaktoi mjaft reagime në Shqipëri, Maqedoni si edhe vetë BE-në, ndërkohë që në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Edi Rama njoftoi se delegacioni shqiptar niset të hënën për në Bruksel me qëllim pjesëmarrjen në konferencën e parë ndërqeveritare.
Gazetarja e ABC, Erisa Zykaj kontaktoi me burime zyrtare nga Bashkimi Europian, duke marrë konfirmimin se pas nënshkrimit të protokolleve, janë gati për konferencën ndërqeveritare ditën e martë të javës së ardhshme.
Çfarë përmbante propozimi francez?
Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.
1-Në pikën e parë të propozimit francez, thuhet se Këshilli Europian mirëpret vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.
2- Pika e dytë e propozimit francez thekson se mirëpritet marrëveshja për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.
3- Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”. Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.
4- Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”. Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.
5- Pika e pestë e propozimit francez thotë se Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit.
6- Pika e 6-të e këtij plani parashikon që “Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantojë Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.
7- Në fund të propozimit, thuhet se Komisioni Europian do të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe të identifikojë çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata.
Diskutime rreth kësaj post