Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar dje mbi nismën e PD për të futur në veting politikën. Ai ka dalë kundër kësaj lëvizje, ndërsa e cilëson si strategji të Bashës për të mashtruar qytetarët. Sipas tij fokusi duhet të jetë te sekuestrimi i pasurive.
“Po aq djallëzor është skenari Rama-Basha për t’i ikur vetingut real të politikanëve. Loja me gjoja amendamente për vetingun nga SPAKU, nuk mashtron dot më askënd. A e ka dëgjuar ndokush L. Bashën të flasë për “sekuestrim të pasurive të paligjshme të politikanëve”? Askush! Atë ka tmerr ta përmendë L. Basha! Vetingu nuk është procedurë normale, formale apo e zakonshme që t’ia kërkojmë SPAK-ut apo ASPAKUT, sa për t’u tallur me shqiptarët. Jo! Vetingu organizohet pikërisht si një proces “ekstra” nga struktura të posaçme ngritur enkas për të, pikërisht për faktin se institucionet aktuale formale nuk e ndërmarrin dot aktin ligjor të pastrimit, këtë rast të politikës nga vjedhjet dhe grumbullimi i pasurive të paligjshme”, tha ai.
Nishani ka hedhur idenë që të vijnë ekspertë të huaj për të kryer vetingun e politikanëve shqiptarë.
“Shteti shqiptar do të kontraktojë auditë të nivelit të lartë dhe gjyqtarë të pavarur, nga vendet evropiane me sistemet gjyqësore dhe audituese më profesionale dhe të konsoliduara për të bërë një veting model të politikanëve. Esenca dhe konkluzioni i të cilit nuk do të jetë thjesht nxjerrja jashtë politikës dhe administratës shtetërore të këtij vendi të të korruptuarve dhe inkriminuarve, por mbi të gjitha sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme e të pajustifikuar. Të shpëtojmë PD për të shpëtuar Shqipërinë”, ka shkruar ai.
Ish-presidenti ka kritikuar dhe idenë e PD për reformën territoriale, ku kërkohet kthimi i komunave.
“Të prezantohesh si iniciator i rikthimit të organizimit territorial vendor në modelin siç ishte përpara 2015 me 300 e kusur bashki e komuna, pa një projekt konkret, të një harte konkrete ndarjeje territoriale, tregon cektësinë me të cilën e kupton përgjegjësinë e komunikimit publik si dhe paaftësinë totale për tu ulur e bërë një punë minimale. Natyrisht që qëllimi është gjetkë e kushdo që ka “dy pare mend” e kupton. Do të dëshiroja t’u kujtoja të gjithë atyre personave që : në këmbim të mbështetjes, në këto kohë të izolimit të madh që anëtarësia e partisë i ka bërë L. Bashës, premtimet për tu kandiduar si kryetarë komunash, janë krejt pa vlerë dhe nuk do mund të kthehen dot në realitet”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post