Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj ka zhvilluar disa takime me të rinjtë, të cilët i ka quajtur shtyllë kryesore të Partisë Demokratike.
Leskaj u shpreh se kryeministri Edi Rama ka bërë shumë premtime, por ka dështuar me mosmbajtjen e tyre. Ai tha se këto premtime të pambajtura dhe këto detyrime të cilat s’janë përmbushur, kanë qenë shkaktare se pse shumë të rinj janë larguar nga vendi. Sipas Leskajt, ky largim masiv është një hemorragji për Shqipërinë. Leskaj tha se me kreun e PD, Lulzim Bashën në pushtet fokusi i parë do të jetë punësimi i të rinjve në mënyrë që ata të mos largohen.
“Në 8 vite për rininë mbolli premtime e korri dështime! Zhvillova takime të veçanta me të rinj të Grupit Rinor Universitar Demokrat. Rinia është një prej shtyllave kryesore të Partisë Demokratike dhe një potencial i jashtëzakonshëm që kërkon ndryshimin. Kreativiteti, intelekti, vullneti i saj do të jetë garanci për fitoren. Premtimet e pambajtura dhe detyrimet e papërmbushura kanë sjellë si pasojë largimin e rinisë. Dhe largimi i të rinjve sot nuk është një largim normal, siç ndodh në të gjitha vendet e botës; është një largim masiv, një hemorragji në trup e në shpirt të Shqipërisë. U përcolla të rinjve të GRUD mesazhin se synimi i parë dhe kryesor i Lulzim Bashës, kryeministrit të ardhshëm, do të jetë punësimi, e në veçanti punësimi i rinisë”, – tha Leskaj.
Ai u shpreh se qeveria në lidhje me rininë ka dështuar në të tëra premtimet siç ishte përshembull funksionimi i portalit Rinia.al ku fondi u parashikua se do realizohej dhe dështoi. Leskaj përmendi dhe mosrealizimin e Paktit për Universitetin dhe vettingun tek to. Ai tha se me programin e Partisë Demokratike, do të bëhet përgjysmimi i tarifave për studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë në muaj, praktika pune të paguara, bursa sociale si dhe ndihmë për sipërmarrës të rinj duke krijuar inkubatorë për inovacionin.
“Qeveria aktuale dështoi në funksionimin e Portalit Rinia.al, i cili edhe pse u parashikua me fondin përkatës nuk u realizua. As nuk realizoi Paktin për Universitetin, as vetingun në universitete. Ndërsa programi i PD parashikon: Përgjysmimin e tarifave universitare për të rinjtë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë në muaj, 10.000 praktika të paguara pune në muaj, 5000 bursa sociale, ndihma për sipërmarrësit e rinj dhe krijimin e 4 inkubatorëve për inovacionin. Me Partinë Demokratike, rinia do të jetë aktive në politikë e vendimmarrje! Do të sjellim shpresë të re për Shqipërinë”, – u shpreh Leskaj.
Takimet e Leskaj
Leskaj zhvilloi dhe një takim me banorët e lagjes “Isa Boletini” në Vlorë për të diskutuar problematikat dhe për të prezantuar programet nga Partia Demokratike. Ai u shpreh se disa nga problemet kryesore të zonës janë varfëria, papunësia, infrastruktura e shkatërruar dhe emigracioni masiv. Leskaj tha se një realitet i tillë duhet ndryshuar sa më parë duke i zgjidhur jo duke i mbuluar me propagandë ashtu si kryeministri Edi Rama bën.
“U takova me banorët e lagjes “Isa Boletini” për të bashkëbiseduar për programin e Partisë Demokratike. Varfëria, papunësia e lartë, infrastruktura e shkatërruar, emigrimi masiv i të rinjve; disa nga problemet e zonës. Ky realitet duhet ndryshuar, problemet zgjidhen kur pranohen e jo kur mbulohen me propagandë. 8 vjet Shqipëria ka ngelur në vendnumëro me Ramën! Në 25 prill Rama humb dhe Shqipëria fiton”, – tha Leskaj.
Diskutime rreth kësaj post