Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj me anë të një reagimi në rrjetet sociale shprehet se qeveria pretendon se çdo akt normativ i nxjerrë prej saj ka në fokus mbështetjen e qytetarëve, ku në fakt sipas deputetit, qytetarëve nuk iu është përcaktuar ende një minimum jetik.
Leskaj shkruan se, jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë, që edhe pse minimumin jetik e kemi të përcaktuar si një normë ligjore nga të drejta kushtetuese ende nuk ka një shifër fikse zyrtare të përcaktuar.
Shkrimi i plotë:
“Si mund të pretendoj kjo qeveri se nëpërmjet çdo akti normativ që nxjerr ka fokus mështetjen e qytetarëve, kur pikërisht këtyre qytetarëve nuk u ka përcaktuar ende një minimum jetik, duke u shkelur dinjitetin dhe të drejtat që vet Kushtetuta ua njeh?
Ndërkohë që jemi i vetmi vend në rajon dhe Europë, për të mos thënë dhe në botë, që edhe pse minimumin jetik e kemi të përcaktuar si një normë ligjore që buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve, ende nuk kemi një shifër fikse zyrtare të përcaktuar.
Dhe arsyeja është plotësisht e qartë për të gjithë: Nëse qeveria do të njihte një minimum jetik, atëherë asaj do t’i duhej ta kompensonte këtë varfëri, ashtu si ndodh në vendet demokratike të botës. Po për aq kohë sa qeveria nuk e njeh zyrtarisht një vlerë të përcaktuar të minimumit jetik do të vazhdojë të nxjerr akte normative në “kurriz” të qytetarëve shqiptar për interesat e veta dhe të oligarkëve që përfaqëson.
Në vijim të këtij shqetësimi kryesor që e sjell dhe në formën e një ri-kërkese për Qeverinë me qëllim matjen dhe përcaktimin zyrtar të minimumit jetik, po ndalem dhe në disa pika të këtij akti normativ si në vijim:
Ø AKSHI ka qenë një ndër institucionet me mbështetje të vazhdueshme dhe ndër institucionet me fondet më të larta të prokuruara, kryesisht për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë e tyre, ndërkohë i rritet buxheti edhe me 2.2 miliard lekë. Pavarësisht këtij fakti sërish ndodhemi para ekspozimit të të gjithë të dhënave sensitive. Dhe jo vetëm kaq, por është pikërisht kjo Qeveri që zyrtarizon dhe dhënien e një koncesioni të ri, “Për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë”, duke shtuar jo vetëm kosto mbi bizneset por edhe rrezikun për cënimin e të dhënave.
Ø Rritja buxhetore me 1,8 miliard ose me 185% nga planifikimi fillestar të programit buxhetor të MFE “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”.
Kjo rritje dhe këto pagesa lidhen me kostot e vendimit të Qeverisë për Kompensim Financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, vendim për të cilin në mënyrë të detajuar kam relatuar edhe më herët të gjitha problematikat, hapsirat për abuzime dhe pasojat për buxhetin e shtetit dhe jo vetëm. Parashtroj dhe njëherë shqetësimin se edhe në këtë moment ku kemi një rritje fondi prej 1.8 miliard për kompesim, ende mungon metodologjia e vlerësimit të kompanive fituese të tenderave shtetërorë, si dhe ende nuk është krijuar një regjistër apo databazë për kompanitë që janë subjekte të përfitimit të kompensimit nga Akti duke marr në konsideratë këtu dhe transparencën për ato subjekte që janë cilësuar me shkelje në procesin e tenderimit dhe nuk duhet të jenë përfitues të këtij kompesimi. Po kështu sjell në vëmendjen tuaj se kompensimi financiar i caktuar me një marzh nga 5-30%, lë shteg të hapur për abuzime, pikërisht për shkak të diapazonit të gjerë.
Ø Po kështu programi i Transportit Rrugor dhe Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës paraqiten me shtesa buxhetore.
Kategoritë e Shpenzimeve të buxhetit që planifikohen të rriten janë: Shpenzimet Korrente me 3.2 miliardë Lekë, Shpenzimet Kapitale me 2.9 miliardë Lekë, Fondi Rezervë me 0.7 miliardë Lekë.
Pra në një kohë kur qeveria për menaxhimin e krizës duhet t’i ul shpenzimet korrente dhe ato kapitale, vepron në mënyrë të kundërt duke i rritur, duke dëmtuar kështu edhe më tej ekonominë e qytetarëve shqiptarë, buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht duke nëpërkëmbur rekomandimet e institucioneve më të larta ndërkombëtare si FMN për ulje të shpenzimeve kryesisht atyre kapitale dhe operative. Rikujtoj se vet kjo Qeveri nëpërmjet Ministrisë së Financave i pati premtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) se gjatë vitit 2022 e në vijim buxheti i shtetit nuk do të ndryshonte me akt normativ dhe se gjithashtu do të rishikohej me ulje zëri i investimeve kapitale.
Ø Shpenzime personeli dhe ato për subvencione shfaqen me reduktim. Në shpenzime personeli ka ndikuar shkurtimi i Fondit për politikat të reja pagash nga 2.4 miliardë Lekë planifikuar në fillim në 1.9 miliardë Lekë. Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2022 u vlerësua 7,5 %. Nëse e krahasojmë vetëm me muajin janar të këtij viti, ku treguesi ishte 3.7%, rritja e inflacionit është në nivele kritike, niveli më i lartë në 20 vitet e fundit. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë po arrin 10%. Pra në këtë akt normativ me qëllimin për mbështetje e krizës ekonomike, kjo qeveri nuk e sheh aspak problematikë rritjen e çmimeve dhe inflacionit, si rrjedhojë dhe nuk merr asnjë masë për rritjen e pagave dhe indeksimin e tyre në raport me kostot që kjo krizë ka sjellë.”
Diskutime rreth kësaj post