Bashkimi Europian i ka dhënë dje një goditje të rëndë presidentit Ilir Meta, sa i takon debatit për Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i vendit refuzoi afatin 30 ditor duke emëruar Marsida Xhaferllarin në shkelje të ligjit, por veprimet e Metës duket se nuk gjejnë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Dje ka reaguar zëdhënësja e Këshillit Europian Maja Kocijancic, e cila ka shprehur qartë se ligji përcakton një afat 30 ditor për të zgjedhur anëtarët dhe kush mendon ndryshe, rrezikon shtetin e së drejtës.
“Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë. Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës”, – ka deklaruar Kocijancic.
Ndërhyrja e Venecias
Në fjalën e saj, zëdhënësja e Këshillit Europian si zgjidhje të kësaj situate, sugjeroi që të merret mendimi i Komisionit të Venecias, që sipas Kocijancic, duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi. “Nuk i takon Bashkimit Europian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse. Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi”, tha Kocijancic. Lidhur me komentin e bërë nga zëdhënësja e KE, ka reaguar zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili këshillon Kocijancic të lexojë Kushtetutën. “Maja të lexojë Kushtetutën në shqip dhe të mos keqpërdoret nga Rilindja për lajme dite”, shkruan Blushi në Facebook.
Reagimi i ambasadorit italian
Vetëm disa ditë më parë, reagoi edhe ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, në lidhje me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Cutillos, në lidhje me këtë krizë të krijuar, të merret mendimi i Komisionit të Venecias, duke cilësuar se Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet më të larta në vend dhe se duhet të ngrihet sa më parë. “Nuk i njoh zhvillimet e fundit për Kushtetuesen, por unë them se është thelbësore për shumë vende edhe në Shqipëri. Duhet të jetë në funksion sa më të shpejtë, dhe në bazë të ligjit dhe procedurave. Ka një debat për kompetencat, por palët duhet të bashkëpunojnë për një zgjidhje që të jete e mirëpritur. T’i kërkohet një mendim Komisionit të Venecias. Besoj është e rëndësishme të kemi një rrugëtim për çdo dyshim për këtë gjykatë. Mund të bëhet shumë shpejt. E rëndësishme është që të bjerë poshtë çdo lloj dyshimi. Ky është sugjerim personal”, – u shpreh ambasadori Italian Cutillo.
Diskutime rreth kësaj post