Brukseli përfshihet nën tmerrin e sulmeve terroriste.
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën dhe 150 të tjerë janë plagosur në shkallë të ndryshme, në akte terroriste zinxhir që përfshinë aeroportin dhe metronë.
Viktimat e para u shënuan në orën 8.00 në stendën e American Airlines në aeroportin e Brukselit, ku flitet për 13. Menjëherë më pas, një sulm i dytë u regjistrua në Metro, pikërisht tek stacioni pranë selisë së Bashkimit Europian, te stacioni Maelbeek në zonën qendrore të Brukselit.
Dy shpërthime të fuqishme u shënuan mëngjesin e kësaj të marte në aeroportin Zaventem në Bruksel. Për shkak të situatës, gjithë personat dhe stafi i aeroportit u evakuuan, aeroporti u mbyll dhe fluturimet u ndaluan.
Ndërkohë nga kontrolli i aeroportit u gjetën disa bomba të pashpërthyera. Sipas disa dëshmitarëve të cituar nga mediat lokale belge, para shpërthimeve në aeroport, një person bërtiti diçka në arabisht dhe më tej u dëgjuan të shtëna.
Një tjetër shpërthim është dëgjuar pak më vonë edhe në metronë e Malbeek në Bruksel, pas atyre në aeroport, ku flitet për dhjetë viktima. Kjo bëri që metroja të mbyllet dhe linja hekurudhore të ndërpresë udhëtimet.
Qyteti është blinduar, ndërsa ushtria ka zbritur në rrugë, ku trafiku është paralizuar plotësisht, për të lejuar kalimin e ambulancave. Autoritetet kanë nisur evakuuimin edhe të disa shkollave në zonën qendrore të Brukselit, ndërsa është mbyllur kufiri Hollandë- Belgjikë.
Alarmi në të gjithë Belgjikën është dhënë në nivelin 4, maksimumi i parashikuar.
Kjo ngjarje vjen vetëm katër ditë, pasi policia belge kapi në Bruksel, terroristin e shumëkërkuar Salah Abdeslam, i akuzuar për sulmet e Parisit.
Diskutime rreth kësaj post