Pasi shkruajti në faqen e tij zyrtare në Facebook se “as Erion Braçe, as Olsi Rama, as Gaz Demi nuk na mallëngjejnë me propagandën e tyre”, tifo-grupi i Partizanit, “Ultras Guerrils”, kanë marrë një përgjigje të shpejtë nga deputeti i PS, i cili njihet si një nga dashamirësit e mëdhenj të skuadrës së kuqe.
Ky i fundit nënvizon jo pa ironi e thumbime:
“E di si është puna çuna?! Unë tifoz nuk jam prej jush! Unë tifoz natyrisht që nuk jam pas jush, para një pjese të madhe ndër ju, që me ç’shoh jeni dhe më të vegjël se unë. Më të vegjël, jo më të shkurtër, se i tillë jam vetë. Unë tifoz jam prej Partizanit dhe prindërve të mi, Kombinatit, djemve sot burra, që bënë Partizanin e madh. Natyrisht, edhe prej pasionit! Pasioni nuk ndryshon me moshën, as këmbehet dhe natyrisht nuk është status mbi këdo, por edhe mbi ligjin. E them për vete, kështu e mendoj unë. Ju mund të mendoni ndryshe. Por, jo për mua. Kaq vite sa kam, më kanë mësuar që të kem për referencë të vërtetën dhe jo individë, as grupime. Thënë këtë, po mundohem t’ua sqaroj edhe ju: Unë them atë që mendoj. Asgjë tjetër! Gjithnjë!
As mendimin tuaj, as mendimin e Olsit, Gazit, policisë, partisë, qeverisë, kërkujt! E di çdokush në këtë vend këtë, natyrisht nëse më njeh. Ajo që them lidhet veç me të vërtetën, ligjin dhe është konkrete, kurrë propagandë. Për pasionet e mia nuk ndodh kurrë! Zero! Nëse ju duket propagandë, që unë citoj ligjin, atëherë duhet që të mos merrni argumentat e mia për t’i cituar në këto statuset tuaja. As që e diskutoj se ajo që po ndodh është një kufizim antikushtetues, në kundërshtim të qartë edhe me ligjin “Për Sportin”. Jo prej “regullave tuaja”, jo prej “sloganeve tuaja – të pakontrollueshëm, të paidentifikueshëm, të panegociueshëm”, po prej ligjit. Ligji nuk parasheh kontroll në stadium të çdo shtetasi nga policia, për kontroll të identitetit nuk flitet kund. Pavarësisht se unë jam i identifikueshëm, i kontrollueshëm në fakt, ligji është ai që duhet të funksionojë. Çdo tejkalim i ligjit është i patolerueshëm! Kjo nuk është propagandë, ky është qëndrim publik i mbështetur në ligj. Nëse më lejoni, po, mund t’ju them se ligjit duhet t’i referoheni edhe ju.
Siç policia nuk duhet ta tejkalojë atë, edhe ju nuk jeni mbi ligjin. Këtë po ua them si një njeri që e njeh ligjin. Dhe këtë nuk ua thotë as partia e as qeveria. Tifoz nuk më ka bërë asnjëra nga këto. E fundit, ju lutem shumë ma kurseni atë historinë “çfarë kam bërë unë e çfarë keni bërë ju për Partizanin”. Ky ekip nuk ka pas as partinë, as bashkinë, as qeverinë, as buxhetin e shtetit dhe as F$HF, natyrisht. Ky ekip po mbijeton vetëm, siç përherë xhanëm, falë pasionit dhe kontributit të familjes “Demi”, djemve që luajnë për të në çdo nivel, me të mirat e të metat e tyre. Edhe tuajit, pa asnjë diskutim. Kush ju futi në këtë hulli, nuk ka hall të zgjidhë çështjen tonë. Përkundrazi, kërkon ta lërë edhe më vetëm këtë ekip, Partizanin. PERCARJA KETE BEN! MOS E NDIQNI PAS PERCARJEN SE NUK KA PARE HAJER KUSH PREJ SAJ! Dhe një gjë, skena është e gjitha e juaja, me meritë, pa diskutim. Unë jam thjesht një tifoz nga më normalët e Partizanit dhe në stadium nuk vij për gjë tjetër, veç për pasionin tim”.
Diskutime rreth kësaj post