Presidenti Ilir Meta ka dekretuar dje me rezerva kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për hyrjen në fuqi të ligjit për Eurobondin, ndërsa sqaron në argumentimin e tij se ka dhënë pëlqimin vetëm për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij ligji, me qëllim mos pengimin e mundësive për përdorimin e instrumentit të Eurobondit sipas kushteve më të favorshme. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë deputetëve të shqyrtojnë me shumë vëmendje këtë nismë para miratimit të saj.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta në zbatim të nenit 84 të Kushtetutës, pika 4, ka miratuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit “Për Eurobondin, që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë”. Kjo dhënie pëlqimi bëhet e vlefshme vetëm pas miratimit të projektligjit nga Kuvendi. Presidenti Meta ka dhënë pëlqimin vetëm për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji, me qëllim mos pengimin e mundësive për përdorimin e instrumentit të Eurobondit sipas kushteve më të favorshme. Ndërkohë, Kreu i Shtetit i bën thirrje të gjithë deputetëve të shqyrtojnë me shumë vëmendje këtë nismë para miratimit të saj, të konsiderojnë faktet, diskutojnë dhe vendosin me transparencë dhe përgjegjësi, kur kemi të bëjmë me një instrument, që jo vetëm duhet trajtuar me kujdes, por edhe duhet përdorur me efikasitet për të mirën e ekonomisë së vendit”, shkruan ai.
Më tej presidenti Ilir Meta i kërkon Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Komisionit përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, që të paraqesin një raport para deputetëve dhe seancës plenare mbi arsyen e marrjes së një praktike kaq urgjente, të raportohet performanca e borxhit publik, si dhe të bëhet një analizë kosto-përfitim e Eurobondit, ku të detajohen projektet ku do të investohet.
Diskutime rreth kësaj post