Një nga themeluesit e partisë së re “Sfida për Shqipërinë”, Gjergj Bojaxhi, shprehet se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë në favor të procesit të kontrollit për anëtarët e sistemit gjyqësor, i njohur tashmë me fjalën anglisht “Vetting”.
“’Vettingu’ është i domosdoshëm. Ky proces jo vetëm që nuk duhet të diskutohet për gjyqësorin, por duhet zgjeruar edhe për politikën. Duhet të dimë se kush janë shërbyesit publikë në vend,” thotë Bojaxhi në një deklaratë për shtyp.
Sipas Bojaxhi, kontrolli dhe rivlerësimi i gjyqtarëve e prokurorëve është një hap pozitiv për rritjen profesionale me bazë meritokracinë, luftën ndaj korrupsionit dhe uljen e ndikimit në gjyqësor të politikës apo krimit të organizuar.
Bashkëthemeluesi i “Sfida për Shqipërinë mendon se kjo duhet aplikuar edhe në politikë.
“Politika gjithashtu duhet t’i nënshtrohet “Vettingut”, pra, kontrollit. Duhet të evidentohet realisht dhe individualisht niveli profesional, pasuria dhe lidhjet me krimin e organizuar të çdo politikani. Vetëm duke ndjekur këtë rrugë do të sfidohet politika e ndjekur gjithë këtë kohë, një politikë që vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen e vendit,” shprehet Bojaxhi.
Ai thotë se qytetarët meritojnë të përfaqësohen denjësisht dhe të kenë mundësi të përfshihen në politikë e vendimmarrje. Një sfidë e tillë do të arrihet vetëm me largimin e të gjithëpushtetëshmve nga froni i zaptuar dhe zëvendësimin e tyre me qytetarin sovran e të angazhuar.
Diskutime rreth kësaj post