Ditën e djeshme në Parlament, në mungesë të opozitës, ka qenë Ben Blushi ai i cili i është hakërryer qeverisë, duke debatuar me një sërë deputetësh e Ministrash. Por nëse klima brenda aulës së parlamentit mes Ben Blushit dhe atyre që ai quan rilindas ishte e tensionuar… ka ndodhur ndryshe përpara nisjes së seancës plenare.
Sic e tregon dhe kjo video, e postuar nga News24, Ben Blushi ka takuar “Rilindasin” Arben Ahmetaj, madje edhe duke e puthur…
…ndërsa në parlament, dashuria e shprehur, jo vetëm që nuk është dukur në atmosferë, por përkundrazi, Blushi tha se nuk është më socialist, ndërsa Arben Ahmetaj tha se ky i fundit ka filluar të flasë si “Saliu e Luli” tani që do të hapë një parti të re.
Pjese nga debatet dje ne Parlament
Ben Blushi: Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, është dëshmi e pastër e degradimit të moralit politik. Unë nuk kam asnjë gjë me ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, ai bëri atë që mendonte se ishte e vlefshme në jetë, e çau jetën, dallgët, por një shoqëri me e përparuar se ne e ndëshkoi, por ç’bëmë ne? Ne e morëm e bëmë kryebashkiak. Nuk ka mësues, pedagog, mjekë, poetë, por ka përdhunues. 40 milje nga Kavaja, ata e ndëshkuan ne e zgjodhëm kryetar bashkie dhe kjo është arsyeja pse përse nuk jemi në Europë. Problemi nuk është ai, jo, dikush mendon se ky djalë kapërceu dallgët e përdhunimit për të çarë jetën e vet, dhe pasi kapërceu dallgët, gjeti një shok dhe ky i tha hajde bëhu kryetar bashkie dhe e bëri. Çështja fillon jo se çfarë ka bërë kryetari i bashkisë, si u kalit duke kapërcyer dallgët e jetës si u kalit, jo nuk është kjo çështja. Çfarë dallgësh po i jep tronditje kjo lloj shoqërie. Unë ju pyes sot ju të gjithë, që e keni mbrojtur si model, kë mbroni ju në këtë shoqëri, çfarë i thoni shoqërisë shqiptare, të jeni delikuent për t’u marrë në punë se duhet të jesh dënuar për të marrë një detyrë publike. Një parti del në protestë, për të mbrojtur një njeri, që jep dorëheqje se është në konflikt me ligjin, a mund të ndodhë kjo? Të nderuar miq, shoqëritë nuk ndërtohen mbi vese. Ndaj kjo është arsyeja, pse qytetet kanë ndërtuar ligjet, e qytetet për të mbrojtur të mirën e jo të dëmshmen. Çfarë u thoni ju fëmijëve sot? Dilni mbroni këtë model, në emër të cilit ligj e mbroni këtë fakt, duke bërë karrierë? Duke ardhur nga përdhunimi, shëmtia, por nuk e bëni në emër të Shqipërisë këtë, as në emër të shoqërisë, por e bëni në emër të shokut të kryetarit të partisë. Të mbrojmë shokun e kryetarit të partisë edhe nëse mund të ketë vrarë e përdhunuar.
Ky është standardi ku është katandisur Rilindja. Ikën nga posti se ke përdhunuar, partia del në protestë të mbron. Ata që kanë qenë në burg dalin e nderohen me detyra, ky është dëmi më i madh që ka bërë Rilindja. Më vjen zor të jem socialit, për fat të keq kjo nuk është PS që unë njoh, kjo është Rilindja, e cila është kthyer në vëllazërinë e vesit dhe unë do e refuzoj deri në fund këtë normë politike.
Saimir Tahiri: I fundit që do doja të dëgjoja të tilla gjëra, je ti Blush, se është një gjë ta dëgjosh nga Saliu e opozita, se kjo është pjesa e të bërit politikë, por jo nga ty e të thuash që s’je socialist se socialistët mbrojnë kriminelët, nuk e pranoj, jam i fyer. Kush i mbron banditët këtu, unë, Dashi, Pandi, Gramozi, Erjoni e me radhë? Dëgjova që ti the se s’je socialist se socialistët mbrojnë bandat, kjo është çështja jote, edhe sipas meje nuk je më në fakt,
Ben Blushi: Sajme, pse ti do më tregosh mua se çfarë është të jesh socialist, dhe jam apo s’jam unë socialist? Beson se e ke këtë tagër ti për të më treguar mua se çfarë është një socialist i ndershëm? Unë s’mund të paguaj çmimin e të qenit socialist, nëse të jesh socialist do të thotë të mbrosh përdhunuesit, unë s’e paguaj dot çmimin e të qenit socialist nëse të jesh socialist do të thotë të iki deputeti me kontrabandistin e drogës në makinë, të shkosh në gjykatë dhe gjykata të thotë se ke abuzuar me fondet publike dhe për këtë arsye s’je më deputet, nëse 10% e kryetarëve të bashkive që kjo parti ka kandiduar janë në konflikt me ligjin në Shqipëri apo jashtë Shqipërie, nëse kjo parti nuk mbron por cenon çdo ditë interesin publik? Sot ti nuk mbrojte PS, ti mbrojte Rilindjen, që është një skemë e falimentuar e vesit e dhunës, e nënshtrimit të ligjit, kë po mbron?
Blushi i përgjigjet Gjylametit: Gjylameti ça ke? Ça ke se unë jam në kohën time se nuk jam marrë me ty, ti je një rilindase e devotshme. (I drejtohet sërish Tahiri). Fole më shumë për mua se për atë që ka përdhunuar, kush ka përdhunuar unë apo kreu i bashkisë së Kavajës? Ai më kërcënoi mua me mesazh. Doli kreu i grupit parlamentar dhe tha se ka qenë një komunikim personal, Gramoz, ne kemi 20 vjet që komunikojmë në mënyrë personale por unë s’të kam shkruajtur ashtu. Kë mbrojte Gramoz, interesin personal apo atë që ka përdhunuar?
Kë mbron ti Saimir, ata që duan të bëjnë karrierë pa përdhunuar njeri, pa vjedhur, pa cenuar njeri, pa pasur nevojë të ketë një mik nga ne, ne s’po e përfaqësojmë më këtë gjë, është një çmim që s’kam pse e përballoj. S’ka ardhur koha asnjërit nga ju të më tregojnë se kush është socialist.
Nëse të jesh socialist d.m.th. duhet të jesh si Elvis Rroshi, Koço Kokëdhima, Shukriu, Arben Noka, unë s’jam socialist.
Erjon Braçe: Është socialist njëri apo tjetri, të shkojë në parti, nëse si mjafton, të shkojë edhe në anëtarësi. Nëse do të kuptojë kush është PS, jua them unë, kjo është PS që ka vënë ligjin mbi partinë. Për herë të parë në historinë 25-vjeçare, nuk ka parti që të ofrohet si ombrellë për çdo lloj keqbërësi i ballafaquar me ligjin dhe gjykatën. Kjo është PS…
Saimir Tahiri: Ne e shtrimë dekriminalizimin deri në administratën publike, ky është produkt i vetëdijes që nesër të rinjtë të mos kenë merak se ça do dëgjojnë nga Kuvendi, kjo nuk funksionon kështu, këtu nuk ka njerëz me më shumë kredo morale se sa ca të tjerë, për sa kohë që ligjit jemi të detyruar t’i bindemi, kush shkon përtej ligjit ka punë me drejtësinë, kjo është kultura, e jo kultura e akuzatorit që vjen e ngre gishtin ndaj kujtdo. Të jesh socialist nuk do të thotë të kesh lidhje me emrat që përmende, unë s’marr njeri në mbrojtje kur ka çështje me ligjin, por të përdorsh një emër e t’i vësh njollë të gjithëve nuk shkon, është kjo arsyeja pse Reforma në Drejtësi i jep zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t’iu drejtosh gishtin kolegëve edhe nga opozita po të duash, t’i bësh mbrojtës të krimit e bandave, ka instrumente e institucione, çdo gjë që del jashtë këtij kufiri, ka interes politik.
Arben Ahmetaj: S’ka emra të përveçëm që mbrohen nga një parti. Ke të drejtën tënde realisht që të përfitosh nga mungesa e opozitarit të përhershëm, nëse do bënim një debat tradicional je apo je socialist, një socialist kritikon, nuk baltos, është në interes të asaj që mbron partia, qeveria dhe aleanca e tij dhe nuk del të thotë njëlloj si ai.
Të njëjtën gjë që the ti sot, e thotë Luli e Saliu që shumica mbron kriminelët, e spostove veten krah atyre emrave, të njëjtën gjë thua edhe për ekonominë, një socialist i mirë kritikon, begenis shifrat, fantazon mbi shifrat, por nuk i mohon dhe nuk tenton ti përmbysë, një socialist i mirë e shkelmon vesin, mos e shkelmo ‘vesin’ që ka kjo parti e qeveri, atë të ndryshimit të të bërit reformë. Braçe, Ruçi, Majko, Xhafa, Fino, e kush të duash ti, apo edhe Gjylameti, gëzojnë si fëmijë kur ka një rritje, por ti me Mozën keni vendosur të krijoni parti të re, mos e krijoni mbi baltë se do i ngjani të vjetrës, do bëheni si dy apo tre pika uji mbi partinë që hedh baltë, ju diferencon nga ne, ne “ves” kemi ndryshimin.
Ben Blushi: U habita se fola për një çështje që shqetëson vendin dhe miqtë e mi më ftuan në Kongresin e PS, atë e kemi mbaruar prej tyre muajsh, nuk ishte dita për kongresin nr. 2, ka një tendencë këtu që unë godas Rilindjen dhe jo Saliun, unë jetoj në Shqipëri prej 25 vjetësh e fundit, kur shumë këtu nuk i di ku ishin, por në jetët e tyre private dhe ca mbase edhe me Saliun, unë me pak miq e kemi rrëzuar Saliun me një gazetë, për të rrëzuar Rilindjen do bëj edhe më pak dhe kjo është e sigurt, jo me një gazetë, por me një fjalë sikur të kem mundësi do ta përdor për të rrëzuar Rilindjen, se nuk ka asnjë ndryshim nga Saliu, nëse doni ta përsërisni kongresin, prapë jam i gatshëm të vazhdoj./ java.ak
Diskutime rreth kësaj post