Deputeti socialist, Ben Blushi publikoi të mërkurën tetë propozime për statutin e partisë, që do t’ia paraqesë Kongresit të Partisë Socialiste, që do të mbahet më 19 mars.
Sipas Blushit, miratimi i këtyre parimeve në formën e amendamenteve, vjen nga nevoja për një reformë politike që modernizon funksionimin e partive politike në Shqipëri, nisur nga vendimi për të rishikuar statutin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, nisur nga shkeljet e shumta dhe të papërligjura që i janë bërë atij dhe nisur nga besimi se Partia Socialiste mund të funksionojë në mënyrë demokratike, duke përshtatur praktikat më të përparuara të partive evropiane.
Ndër propozimet e Blushit është ajo që lidhet me zgjedhjet brenda partisë, që ai i quan ‘primare’. “Primaret janë zgjedhje brenda partisë, të cilat zhvillohen përpara zgjedhjeve parlamentare apo lokale. Primaret janë një praktikë pothuajse rutinë, e detyrueshme dhe e konsoliduar, që zhvillohen brenda një partie apo koalicioni. Kjo e drejtë duhet t’i delegohet antarësisë së Partisë Socialiste, përmes zgjedhjeve paraprake. Primaret mund të jenë të hapura apo të mbyllura.
Primaret e mbyllura ftojnë në votim vetëm antarët e partisë, pra ata që kanë kartë antarësie. Ndërsa në rastet e primareve të hapura, partitë dhe kandidatët bien dakord që të ftojnë në votim edhe qytetarë të cilët nuk janë detyrimisht anëtarë, me kushtin që ata të mos jenë në rregjistrin e partive të tjera. Primaret i bëjnë partitë me të hapura, duke rritur interesin e publikut për to si dhe për platformat që kandidatët e tyre paraqesin.
Në Partinë Socialiste përcaktimi i kandidatëve për kryetarë bashkish apo deputetë, sidomos gjatë viteve të fundit, kanë qenë monopol i Kryetarit të partisë apo një pakice të zgjedhurish, çka është një praktikë e vjetër, e mbyllur dhe joproduktive, të cilës i ka ardhur koha të ndryshojë”, thuhet në propozimin e deputetit Blushi.
Një tjetër amendament për statutin, i propozuar prej tij është dhe ajo që lidhet me kufizimin e mandatit të kryetarit të partisë, apo kryetarit të partisë së bashkive, që nuk kanë mandat të kufizuar. Blushi propozon që ky mandat të mos jetë më shumë se dy, duke rritur kështu mundësinë për konkurrencë dhe ndryshim brezash.
“Mendoj se mandati i Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryetarëve të Partisë së Bashkive të mos jetë më shumë se dy, ç’ka do të rriste mundësinë për konkurrencë dhe ndryshim brezash brenda një grupi politik që rinovohet përmes votës”, citohet propozimi i Blushit.
Amendamente të tjera të propozuara prej tij lidhen me rolin e sindikatave, papajtueshmërinë e mandateve, financimin e partisë, etikën e PS-së, etj.
Pas publikimit të propozimeve, në një prononcim për gazetarët, deputeti Blushi tha se qëllimi i tyre është një parti më moderne dhe jo një parti centraliste, që nuk ka kolegjialitet dhe as transparencë në vendimet e saj dhe që po u heq anëtarëve të vet mundësinë për të votuar.
Sa i takon ndryshimeve statutore të hartuara deri më tani e që priten të votohen në Kongres, ai u shpreh se nuk ka transparencë, pasi ato nuk kanë kaluar në Kryesinë e partisë. Statutin e ri, ai e quan statut për një individ të vetëm, e jo për një parti.
“Po bëhet një statut për një njeri dhe jo për një parti dhe ai është Edi Rama. Ata që po e bëjnë këtë statut janë në rolin e rrobaqepësit, që po i qepin një kostum Edi Ramës. Ky është problemi sot në Shqipëri, sepse statuti po bëhet si ligjet, jo për të gjithë, por për një grusht njerëzish. Ai statut i heq të drejtën e zgjedhjes të gjithë të tjerëve. Unë nuk kam armiq në parti, por kam shumë që nuk mendojnë si unë. Nuk kam ftuar asnjë njeri në duel, por kam pikëpamjet e mia, sesi kjo parti të bëhet një parti kolegjiale dhe të mos jetë e një individi të vetëm”, u shpreh Blushi.
Diskutime rreth kësaj post