Deputeti socialist Ben Blushi vazhdon të këmbëngule se në Partinë Socialiste duhet të zhvillohen zgjedhje dhe se kreu i kësaj force, Edi Rama nuk ka të drejtë që të vendosë për zgjedhjet. Këto deklarata janë bërë paraditen e sotme nga qyteti i Kukësit, ku Blushi ishte për të prezantuar librin e tij më të fundit, “Kandidati”. Deputeti tha se sipas ligjit në fuqi të Partisë Socialiste, ka kongres, që do të thotë ka zgjedhje.
“Zgjedhjet në Partinë Socialiste nuk i cakton kandidati, pra jo Rama. Rama s’ka të drejtë të vendosë për zgjedhjet në PS. Rama s’ka të drejtë të vendosë kush numëron votat. Rama është vetëm një kandidat në garën për kryetar. Duke respektuar statutin e PS, rezulton se kam të drejtë. Të gjithë ata që lexojnë statutin e PS kanë të drejtë. Ata që thonë ‘s’ka zgjedhje në PS’, gabojnë”, ka deklaruar Blushi.
Gjithashtu ai akuzoi kryeministrin Rama se ka frikë të hyjë në zgjedhje. “Rama e ka çështje paranoje dhe konkurrence çështjen e zgjedhjeve. Dyshoj se Rama ka frikë të hyjë në zgjedhje për kreun e PS. Nëse s’ka frikë, le ta përballojë garën në PS. Gara në PS s’është zgjedhje fakultative, por detyrim”, ka theksuar ai.
Diskutime rreth kësaj post