Vonesa në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për deputetin Ben Blushi është një provë që tregon se politika po kërkon të kthejë në hiç reformën në drejtësi.
Duke shprehur skepticizmin e tij për zbatimin e reformës në drejtësi, Blushi tha se palët prej 25 vitesh vazhdojnë i hedhin fajin njëra-tjetrës.
“Besoj se dhe nëse do të ketë reform në drejtësi, drejtësi nuk do ketë se ky Parlament prodhon më shumë fjalë se ligje. Ky është Parlamenti me shqiptar po shumë pak raste në dobi të shqiptarëve. Ky Parlament po bën sot gjithçka për ta shtyrë e për ta bërë hiç reformën në drejtësi dhe për këtë gjë kam një provë. Në fund të vitit të kaluar u miratua ligji i famshëm për dekriminalizimin. Shumë kolegë që e votuan sot thonë që janë bërë pishman. Unë i pyes, ca ka për tu bërë pishman? Me ligj ata njerëz me precedent penal duhet të dalin me ligj nga ky Parlament”, tha Blushi në Kuvend.
Edhe nëse reforma në drejtësi tha Blushi miratohet, nuk ka asnjë garanci se do të ndëshkohet gjykatësi, prokurori apo politikani. “Nuk ka asnjë garanci, dhe ky është perceptimi publik, që reforma në drejtësi do të përfundojë si një marrëveshje për të mos na ndëshkuar ne”, vijoi Blushi.
Ahmetaj: Ekonomia, jo aty ku do të donim. Por e përmirësuar
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke iu përgjigjur deklaratave të kolegut të tij Blushi ka pranuar vështirësitë ekonomike që hasen sot në vend, por situata sipas tij ka ardhur duke u përmirësuar.
Fillimisht, Ahmetaj është shprehur dakord me Blushin sa i takon efikasitetit të reformës në drejtësi që pritet të miratohet, e cila sipas tij ka efekt direkt në ekonomi.
“Situata ekonomike nuk mund të përmirësohet nëse nuk ka një drejtësi të pavarur. Nëse s’miratojmë reformën në drejtësi rrezikojmë hapjen e negociatave”, ka thënë Ahmetaj.
Por, ka shtuar ai, “edhe pse situata ekonomike nuk është aty ku do të donim, rritja ka arritur në 2.6 për qind”.
“Varfëria është ulur, ekonomia shqiptare e ka lënë mbrapa krizën. Raporti i Bankës Botërore tregon se punësimi është rritur. Konsumi është rritur për shkak të rritjes së parave të disponueshme nga qytetarët”, ka thënë Ahmetaj.
Topalli: Raportet ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e qeverisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, duke iu përgjigjur referimeve të ministrit të Financave, ka deklaruar se raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë të kundërtën e atyre që deklaron ai për ekonominë shqiptare.
“DASH, Banka Botërore dhe shumë raporte të tjera tregojnë të kundërtën e atyre që thotë kjo qeveri”, ka thënë Topalli. Sipas saj, korrupsioni ka kapur të gjitha degët e kësaj qeverie dhe ka bërë që vetëm në 1 vit të largohen nga vendi 100 mijë shqiptarë.
“Raporti i Bankës Botërore thotë se 46 për qind e qytetarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë. Papunësia është rritur në mënyrë progresive, prandaj shqiptarët ikin. 2.8 milionë kemi mbetur këtu. Kjo ndodh vetëm për një arsye, korrupsioni. Është babëzia”, ka thënë Topalli, e cila ka cituar raportin e KLSH për 1 miliard dollarë dëme të shkaktuara shtetit.
“Nga ana tjetër kemi Koçon dhe konçesionet që merr ai. Korrupsioni vjen si pasojë e kulturës mjerane, se po erdhe në pushtet vjen për të pasuruar veten”, ka thënë më tej Topalli, e cila ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Rama në SHBA.
“Kryeministri ynë flet për zgjedhjet e një vendi tjetër, në një kohë kur vendi i tij është i zhytur në korrupsion”, ka shtuar Topalli.
Parlament, diskutime për komisionet hetimore
Parlamenti ka nisur me diskutime për projektligjin e propozuar nga opozita për komisionet hetimore. Deputeti socialist Ulsi Manja i ka kërkuar maxhorancës të mos miratojë këtë projektligj, pasi sipas tij propozimi bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën.
Por demokratët kanë mbrojtur propozimin e tyre, duke e akuzuar maxhorancën për abuzime.
“Dy komisione kanë përfunduar punën me sukses të ngritura me iniciativën tuaj, njëri për shkarkimin e drejtuesit dhe anëtarit të KLD-së dhe i dyti ishte ai më qesharaku, ishte pikërisht komisioni i ngritur nga maxhoranca kundër akuzave të PD-së për trafik droge nga Forcat e Armatosura. Në historinë e parlamentarizmit do të ngelet si komisioni më qesharak që është ngritur ndonjëherë në këtë Parlament”, tha deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Diskutime rreth kësaj post