Vendi është thuajse i njëjti ku ngeci masivi Ever Given në kanalin e Suezit dhe duke pasur në mend se çfarë katastrofe ekonomike ndodhi në atë kohë, nuk kishte se si vëmendje mediatike të mos merrte ngecja e një tjetër anijeje në atë pikë, Affinity V.
Të mërkurën e 31 gushtit, kjo mbajtëse kontejnerësh, e gjatë 250 metra, me vendmbërritje Arabinë Saudite, u fut në të njëjtën ngushticë ku ngeci edhe Ever Given.
Ndryshe nga Ever Given, e cila e bllokoi kanalin me ditë, duke shkaktuar një dëm të madh, Affinity V ia doli të zhbllokohej më shpejt se sa mendohej.
Në mars 2021, pronarët e lundrueses Ever Given i paguan autoriteteve të kanalit të Suezit një shumë prej 200 milionë dollarësh, si kompensim për dëmin e shkaktuar.
Këtë herë, Affinity V nuk pritet të paguajë ndonjë kolateral të mundshëm, pasi me tre orë të shpenzuara e ngecur, nuk shkaktoi një fiasco të madhe në lundrimin e mjeteve të tjera, të cilave iu hap rruga për në destinacioneve përkatëse.
Nga mënyra e skicuar se si ndodhi e gjithë kjo, vërehet qartazi se Affinity V ka filluar të kthehet pak nga pak pjerrëtazi, duke mos qëndruar drejt në kanal dhe duke u kthyer pastaj thuajse 90 gradë brenda ngushticës.
Kjo gjë, ka bërë që anija të bllokojë tërësisht vendin e të mos lëvizë dot më.
Ndërhyrja, sipas autoriteteve, ka qenë ajo nëpërmjet anijeve të tjera, duke drejtuar fillimisht gjigandin e deteve e më pas duke e vendosur në pozicion të drejtë në ngushticë.
Fati këtë herë, ishte se anija nuk mbeti e ngecur në pjesën ranore, por brenda ujit. Ndaj, edhe nxjerrja nga situata, ishte më e lehtë.
Diskutime rreth kësaj post