Në prag të protestës së paralajmëruar me bllokim aksesh rrugore, Partia Demokratike i ka mëshuar frazave “nuk do ketë dhunë”, “do jetë tërësisht paqësore”, të cilat duken të arsyeshme vetëm kur janë të ndara, të palidhura me realitetin dhe me kontekstin e protestës; përndryshe, ato shfaqin një tjetër thelb absurd, siç e përshkon të gjithë linjën e cadrës që nga ngritja e saj më 18 shkurt.
Edhe “droga e qeverisë” është e arsyeshme thënë si frazë e veçuar, por kredoja e ngritur në bazë të saj me deduksione të një logjike foshnjore është e gjitha një absurd, përballë së cilës një mendje normale vështirë të mos ndihet ligsht; sepse bëhet fjalë për aksione politike të ndërmarra nga soji i njerëzve që iu është besuar shtet e pushtet, e që pretendojnë t’u besohet sërish. Ndaj është e frikshme kjo që po ndodh me opozitën!
Dhe dalim tek “dhuna”. Por kush janë ata tek të cilët mund të ushtrohet dhunë e që PD përbetohet se nuk do e bëjë?
Protesta nuk do zhvillohet përballë ndonjë institucioni qeveritar, sidozot përballë Kryeministrisë dhe predispozita që të ketë ushtrim dhune, si fjala vjen gjuajtja me sende në drejtim të dritareve, bie poshtë nga ajo e palës protestuese me përbetimin se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Tek bllokimi i rrugëve, përballë ish-qeverisë demokrate – është më mirë kështu të thuhet teksa informohesh mbi emrat që do jenë në krye të protestës – do jenë njerëz të thjeshtë, pa asnjë lidhje me qeverinë, në hallin e tyre, në punët e tyre, në të drejtën e tyre edhe kushtetuese, për të ecur në rrugë e vijuar me axhendën ditore tek e cila përfshihen një morri aktivitesh të rrafshit utilitar. Dhe sigurisht që nuk ka se si të ketë dhunë; nuk ka se si Edi Paloka, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Florion Mima, Myeqerem Tafaj, Flamur Noka, Arben Ristani e të të tjerë si ata, t’u hyjë në dru qytetarëve që do rrijnë si qyqarë brenda automjeteve deri në fundin e marrëzisë së paralajmëruar njëorëshe.
Por këta të fundit do dhunohen rregullisht nga kjo.
Do dhunohet edhe ligji, iu cili siç mund të nuhatet, do ketë pafuqinë dhe tulatjen për t’u përgjigjur marrëzisë. Pra dhunë nuk do ketë, por dhunim po! Çdokush që do frenojë para masës barrigaduese të opozitës në pamundësinë për të vijuar më tej, do jetë një i dhunuar në të drejtat e tij, pavarësisht se askush nuk do ushtrojë dhunë fizike mbi të. /tesheshi.com/
Diskutime rreth kësaj post