Lënda eksplozive që do të shërbente për të shpërthyer në stadiumin e Shkodrës, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael është sekuestruar nga policia e Kosovës pesë ditë përpara se të vihej në funksion akti terrorist.
Të mërkurën në mbrëmje, policia e Kosovës bëri të ditur të gjitha detajet e operacionit të saj, pak orë pasi zyrtarisht presidenti Thaçi pranoi zyrtarisht se kishte patur një plan për shpërthimin. Urdhrat, sipas burimeve zyrtare, do të kryheshin ndaj përfaqësuesve të Izraelit, si edhe tifozëve të tyre të ardhur në stadium. Plani ka qenë i detajuar se kush dhe kur do të sulmohej.
Sipas hetimeve të policisë, rezultonte se të 18 të ndaluarit në Kosovë merrnin urdhra nga dy luftëtarë të ISIS-it. Të ndarë në grupe, 18 të arrestuarit atje vepronin si celula të veçanta për të kryer aktin terrorist.
Pas përgjimeve, policia e Kosovës ndërhyri në kohë pesë ditë përpara planifikimit të këtij sulmi. Gjatë këtyre përgjimeve rezulton se nga Siria, nuk kishte udhëzime vetëm për këtë akt terrorist, por edhe për të tjera, për të cilat policia kosovare nuk ka dhënë detaje. Ata kanë marrë një masë sigurie për 30 ditë burg, derisa të konkretizohen të gjitha provat që disponon policia vendase atje. 2.5 kg eksploziv në gjendje të kristalte i gatshëm për shpërthim, ndërsa është kapur në një prej banesave të terroristëve, i cili do kryente sulmin edhe 281 gram eksploziv ndër më të rrezikshmit në qarkullim në botë, i llojit TATP.
Në valën e arrestimeve në Kosovë dhe rajon, në Shqipëri u prangosën katër të dyshuar si ndihmës të këtyre celulave, por që deri më tani nga hetimet nuk konfirmohet nëse ata ishin në dijeni të sulmeve.
Aktualisht ende nuk ka një akuzë të tillë për ta, por do të ishin mbështetës për të kryer këto sulme. Organet e akuzës dhe ato policore në Shqipëri nuk deklarojnë nëse katër të arrestuarit do të ndihmonin duke qenë në dijeni apo jo të sulmeve.
Ndërkohë që qeveria shqiptare në kuadër të luftës ndaj terrorizmit pak ditë më parë ka firmosur edhe shpalljen si financues të terrorizmit të imamëve të dënuar tashmë nga gjykatat shqiptare për terrorizëm.
9 imamët që kanë marrë dënime të rënda në Shqipëri u janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare dhe emrat e tyre janë futur edhe në listën e zezë të OKB-së, si financues të terrorizmit. Vendimi nuk është bërë publik për shkak të sekretit shtetëror që përmban.
Diskutime rreth kësaj post