Shtetet e Bashkuara dhe vendet të tjera po analizojnë alternativa të ndryshme lidhur me të ardhmen e Rripit të Gazës nëse militantët e Hamasit largohen nga qeverisja, tha të martën Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Zoti Blinken tha para një komisioni të Senatit se ‘status quo’ nuk mund të vazhdonte për enklavën me popullsi të dendur të qeverisur nga grupi islamist palestinez Hamas dhe se as Izraeli nuk dëshironte ta kontrollonte atë.
Mes këtyre dy qëndrimeve janë “disa alternativa të mundshme që ne po i shikojmë nga afër tani, po kështu edhe vendet e tjera”, tha zoti Blinken.
Ajo që do të kishte më shumë kuptim në të ardhmen, tha zoti Blinken, do të ishte një “Autoritet Palestinez efektiv dhe i rigjallëruar” për të qeverisur Gazën, por pyetja qëndron nëse kjo mund të arrihet.
“Në të kundërt mund të ketë marrëveshje të tjera të përkohshme që kërkojnë përfshirjen e vendeve të tjera të rajonit. Mund të përfshijë agjenci ndërkombëtare që do të ndihmonin për çështjet e sigurisë dhe qeverisjen”, tha zoti Blinken.
Si hakmarrje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ku u vranë më shumë se 1400 njerëz, sulmi më i rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti, Izraeli është zotuar ta zhdukë Hamasin përmes një sulmi të pamëshirshëm mbi Rripin e Gazës, megjithatë nuk duket se ka një fund të qartë në horizont.
Kombet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë të ndihmave thonë se popullsia civile në enklavën palestineze të rrethuar është përfshirë në një katastrofë të shëndetit publik.
Uashingtoni ka biseduar me Izraelin dhe vende të tjera të rajonit lidhur me mënyrën e qeverisjes së enklavës palestineze nëse Izraeli triumfon në fushën e betejës, ndërsa ende nuk ka një plan të qartë.
Ndër alternativat që po shqyrtohen nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli është edhe mundësia e një force shumëkombëshe që mund të përfshijë trupa amerikane. Një variant tjetër është që Gaza të vendoset përkohësisht nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, raportoi të martën agjencia e lajmeve Bloomberg.
Disa nga ndihmësit e Presidentit Joe Biden janë të shqetësuar se ndërsa Izraeli mund të hartojë një plan efektiv për t’i shkaktuar dëme të qëndrueshme Hamasit, Tel Avivi ende nuk ka formuluar një strategji për largimin nga Gaza.
Diskutime rreth kësaj post