Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshje ndërkombëtare, si dhe problematikat e evidentuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të mëparshme, strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar maksimalisht, ku është bërë një planifikim i plotë i masave për të garantuar rendin sigurinë para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv, do të angazhohen rreth 2.000 forca policore dhe konkretisht:
Reparti Special RENEA, F.N.SH-të, Drejtoria e Policisë Rrugore, Drejtoria e Antiterrorit, Forca e Posaçme Operacionale si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe .
Masat kanë filluar të zbatohen që prej mbrëmjes së djeshme me mbërritjen e Ekipit të Futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem nga Rinasi në Hotel “Plaza”.
Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Gardën e Republikës kanë marrë masa sigurie në hotelin ku është akomoduar skuadra deri në largimin e saj nga Shqipëria.
Gjithashtu nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masa për shoqërimin e ekipit të Izraelit për në stadiumin “Elbasan Arena” dhe anasjelltas gjatë datës 11 dhe 12 Nëntor.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në qytet.
Kontrollet si dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjes në stadium do bëhet nga F.N.SH.
Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të F.N.SH-së.
Tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit gjatë check in-it të biletës.
Tifozët gjatë hyrjes në stadium do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm.
Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra, por vetëm mbulesa prej plastmasi në rast shiu.
Nuk do lejohen të futen në stadium banderola me parrulla raciste dhe politike.
Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen .
Si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.
Më datat 11 dhe 12 Nëntor do të ketë kufizime të shpeshta të lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit.
Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozërisë për të zbatuar udhëzimet e dhëna nga Policia.
Diskutime rreth kësaj post