Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar këtë të enjte kryetarin e ri, pasi bënë betimin 10 anëtarët e rinj. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj me 8 vota është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial, ndërsa kundërkandidat kishte prokurorin Bahri Hyseni, i cili mori vetëm 2 vota.
Isufaj u zotua para anëtarëve të Këshillit Prokurorial se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë, për të rikthyer besimin e munguar të qytetarëve në sistemin e drejtësisë: “Prokuroria është hallka kyçe në vargun e institucioneve që janë të detyruara me Kushtetutë dhe ligj që të punojnë për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt të një shteti ku sundon ligji dhe ku të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, feje, race, gjinie, të jenë të barabartë dhe të sigurtë. Në këtë mes, roli i Këshillit Prokurorial është esencial, prandaj, jam i bindur se të gjithë anëtarët e këtij këshilli do të angazhohemi maksimalisht për përmbushjen e obligimeve kushtetuese, ligjore dhe atyre me karakter ndërkombëtar”.
Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, i cili ka kryesuar deri tani Këshillin Prokurorial, ka ftuar anëtarët e rinj të Këshillit që të punojnë më shumë për të reformuar sistemin e prokurorive në vend: “Unë dëshiroj t’ ju inkurajoj për punën tuaj shumë të rëndësishme, se keni një mandat 5-vjeçar dhe do të përballeni me shumë detyra, me shumë përgjegjësi, me shumë sfida gjatë kësaj periudhe. Ju duhet të dini se duhet të angazhoheni në drejtim që të siguroni një drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe të krijoni kushte më të mira që prokurorët të punojnë në mënyrë të pavarur të paanshme dhe profesionale”.
Në mbledhjen e parë me përbërje të re, anëtarët e Këshillit Prokurorial dhanë betimin për të siguruar drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët dhe për të zgjedhur prokurorë të pavarur.
Diskutime rreth kësaj post