Ndonëse të varfër, shqiptarët janë mjaft të dhënë pas udhëtimeve.
Për turizëm, tek të afërmit emigrantë, apo për qëllime biznesi, shqiptarët rezultojnë të kenë shpenzuar jashtë 1.1 miliardë euro në vitin 2016, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e kaluar.
Kjo shumë është sa gati 10% e asaj që prodhon ekonomia shqiptare në një vit, raporton Monitor.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka Shqipërisë, në bilancin e udhëtimeve, që publikon shifrat e shpenzimeve të shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit dhe në kahun tjetër ato të të huajve në Shqipëri.
Periudha kur shqiptarë shpenzojnë më shumë para jashtë është në tremujorin e tretë, që përkon edhe me pushimet e verës. Në verën e 2016-s, turistët dhe udhëtarët shqiptarë shpenzuan gati 370 milionë euro.
Ndonëse vendi ka plazhe të bukura e të larmishme, shumë pushues zgjedhin plazhet e Turqisë apo dhe Greqisë e të tjera, për shkak të komoditetit të tyre dhe raportit cilësi-çmim.
Në kahun e kundër, shpenzimet e të huave në Shqipëri, kanë shënuar një rritje të ndjeshme në 2016-n, duke arritur në 1.5 miliardë lekë, me një rritje prej 13% në raport me vitin e kaluar. Rekordi i të ardhurave është arritur në verë, me 521 milionë euro.
Vitet e fundit është rritur dukshëm interesi i të huave për Shqipërinë dhe mediat e huaja nuk pushojnë së shkruari për bukuritë e vendit.
Gjithsesi, pavarësisht prurjeve të larta të turistëve prej 1.5 miliardë euro, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi është rreth 390 milionë euro, për shkak të shpenzimeve të mëdha jashtë.
Por, në krahasim me vite më parë, kur bilanci ishte negativ (shpenzimet e shqiptarëve jashtë ishin më të larta se ato të turistëve në Shqipëri), kemi një përmirësim të dukshëm.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2016, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri arritën një rekord prej 4.7 milionë udhëtarësh, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Edhe daljet e shtetasve shqiptarë u zgjeruan me 8%, për të arritur me 4.8 milionë pasagjerë.
Diskutime rreth kësaj post