Ditën e djeshme është shënuar numër rekord i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, duke iu referuar të dhënave që prej fillimit të pandemisë së Covid-19.
Ditën e djeshme janë shënuar 126 raste të reja me koronavirus. Sakaq Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se katër pacientë ndërruan jetë ditën e djeshme nga Covid-19.
“Fatkeqësisht nuk e fituan dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, një 51 vjeçar nga Dibra, një 62 vjeçare dhe një 73 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese dhe një 68 vjeçar nga Shkodra”, – ka deklaruar dje gjatë komunikimit të përditshëm Ministria e Shëndetësisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 112 pacientë, 19 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar. Shifrat e të infektuarve janë alarmante.
“Në 24 orët e fundit u kryen 504 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 126 raste pozitive, rekord deri tani brenda një dite”, – ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 74 raste në Tiranë, nga raste 9 në Kavajë e Shkodër, 6 në Durrës, nga 4 raste në Krujë, Mirditë dhe Vlorë, nga 3 raste në Korçë, Lezhë dhe Vau i Dejës, 2 në Tropojë dhe nga 1 rast në Elbasan, Kamëz, Lushnje, Pogradec e Sarandë. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 2682, që nga fillimi i epidemisë.
Të shtunën, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale nga puna e përditshme e Urgjencës Kombëtare, që këto kohë përballet me një numër të lartë thirrjesh për shkak të pandemisë. Sipas Ramës 127 është në dispozicion të qytetarëve 24 orë në ditë në 7 ditë të javës, ndërkohë që bën apel për t’i ndihmuar duke u kujdesur për vetën në mënyrë që të mos infektohen.
“Punë e palodhur e Njësisë së Koordinimit dhe ekipeve të terrenit të Urgjencës Kombëtare në shërbim 24/7 për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve. T’i ndihmojmë të gjithë bashkë për të përballuar këtë situatë, me kujdes çdo ditë, duke respektuar rregullat e jetesës në normalitetin e ri”, – ka shkruar Rama.
Në videon e publikuar thuhet se rreth 540 thirrje vijnë në ditë në urgjencën kombëtare, ndërsa 42 misione ditore për të prekurit me koronavirus kryhen prej saj.
Diskutime rreth kësaj post