Çmimet globale të ushqimeve ranë për të pestin muaj pasi kërkesa për disa produkte u dobësua dhe u shënua një rritje sezonale e furnizimeve.
Të korrat e grurit në hemisferën veriore po ndihmojnë në lehtësimin e kufizimeve të furnizimit, ndërsa më shumë drithëra po dalin nga portet e Ukrainës.
Një indeks i Kombeve të Bashkuara për kostot botërore të ushqimit ra 1.9% në gusht, në krahasim me muajin e kaluar, sipas të dhënave që u publikuan të premten. Indeksi ka mbetur në nivelin më të ulët që nga janari, shkruan Bloomberg.
Rënia e çmimeve mund të ofrojë një lehtësim për konsumatorët ndërsa ata përballen me një krizë të thelluar të kostos së jetesës. Megjithatë, rëniet nuk janë aq të mprehta sa në korrik, kur çmimet e ushqimeve u reduktuan me nivelet më të larta që nga viti 2008 dhe mbeten më të larta se një vit më parë.
Inflacioni i ushqimeve nuk tregon shenja lehtësimi në shumë vende, pasi çmimet më të larta të energjisë mund të rrisin kostot e përpunimit. Të korrat mund të tkurren në afat të gjatë pasi fermerët po frenojnë përdorimin e plehrave për shkak të kostove të larta.
Shqetësimet për ndikimin e thatësirës në të korrat e misrit kanë kompensuar pjesërisht uljet e çmimeve të grurit. Edhe pse eksportet e drithit nga Ukraina po rriten, vëllimi është ende shumë nën normën dhe toka bujqësore e humbur dhe çmimet e dobëta lokale po kërcënojnë të korrat e ardhshme të grurit.
Indeksi i OKB-së gjurmon çmimet e eksportit për mallrat e papërpunuara dhe përjashton çmimet e shitjes me pakicë, kështu që mund të duhet pak kohë përpara se ndikimi i tyre të ndihet nga konsumatorët.
Në korrik inflacioni në vend u rrit në 7.5%, efektin kryesor e dhanë ushqimet
Në muajin korrik, inflacioni vjetor në Shqipëri arriti në 7.5%. ndonëse ritmet e rritjes u ngadalësuan, treguesi ishte më i larti në 20 vjet.
Efektin kryesor e dha shtrenjtimi i ushqimeve, që ndikoi me +4,59 pikë përqindje në treguesin e inflacionit. Inflacioni i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 13,2%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 30,6%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 20,0%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 15,4%, “peshk” 11,4%, “zarzavate përfshirë patatet” me 9,5%, “mish” me 9,1%, etj.
Në eurozonë, në gusht inflacioni arriti në nivel rekord prej 9.1%. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet.
Gruri po shitet më lirë, por çmimi i bukës nuk po ndryshon
Adi Haxhiymeri, i cili administron fabrikën e miellit “Bloja” me nënproduktet e “Prima”, tha se ka një rënie të lehtë të çmimit të grurit nga furnizohet Shqipëria, nga 350 USD për ton, në 320 USD/ton. Si rrjedhojë, furrat e bukës tani furnizohen me miell 78 lekë/kilogram nga më shumë se 90 lekë/kg në mars, por kjo ulje nuk është reflektuar te çmimi final i bukës./Monitor
Diskutime rreth kësaj post