Politologu Ermal Hasimja shprehet i bindur se kryedemokrati Lulzim Basha nuk do të mund ta ndalojë nismën e ish-kryeministrit Sali Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së dhe shkarkimin e tij.
Teksa fliste për përplasjet e forta në Partinë Demokratike, ai u shpreh se PD nuk ka qenë kurrë më e përçarë se sot, duke e konsideruar “luftën” mes Berishës e Bashës, një “betejë për jetë a vdekje”.
“Që Basha mund ta ndalë mbledhjen e Kuvendit, duket e vështirë, sepse duket që Berisha ka shumë mbështetës në bazë. Është një situatë e sikletshme. Çdo vendim që do të merrte Basha ose Berisha, nuk do të ishte plotësisht i ndershëm dhe i vërtetë…PD, vështirë se çahet më tepër sesa kaq, nuk ka qenë më e përçarë sesa kaq. Edhe në rastet e mëparshme, konfliktet brenda partisë janë zgjidhur. Në rastin konkret, Basha apo Berisha nuk mund të dalin jashtë PD dhe të krijojnë një parti të re. Është një betejë për jetë a vdekje, e që nuk mund të përmbyllet me një divorc të lumtur. Ndoshta ka edhe një skenar që ky konflikt ta shkund PD-në dhe të ringjallë të gjithë energjitë opozitare për t’u bashkuar drejt një lidershipi të ri. Aktualisht, opozita nuk është në lojë, por po merret me punët e veta. Në radhë të parë, çdo demokrat e ka mendjen se çfarë do të ndodhë me PD-në, kush do ta udhëheqë.”, u shpreh Hasimja.
Diskutime rreth kësaj post