Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla duket se nuk do ta ketë të lehtë përballjen me drejtësinë. Ndaj tij janë hapur 3 procese paralele gjyqësore, ndërkohë që ka një monitorim të rreptë nga amerikanët.
Procesi i parë është ai i gjykimit për fshehje e mosdeklarim pasurie. Paralelisht me këtë proces, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që Llallës t’i sekuestrohej pasuria, por avokati i tij e ankimoi vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë. Por për të njëjtat pasuri, SPAK ka vënë në zbatim dhe ligjin antimafia, duke ia sekuestruar pasuritë.
Kjo lëvizje erdhi sepse Shkalla e Parë refuzoi sekuestron e pasurive dhe SPAK hapi një proces paralel duke zbatuar ligjin antimafia. Ajo që bie në sy është se ka një presion të lartë nga amerikanët për ndëshkimin e ish-kryeprokurorit, apo dhe sekuestrimin e pronave të tij. Gazeta ka mësuar se vetë amerikanët kanë sjellë në Tiranë të dhëna mbi Llallën. SHBA e shpalli atë të padëshirueshëm dhe SPAK gjatë hetimeve dërgoi kërkesë në SHBA. Amerikanët kanë dhënë detaje mbi disa shpenzime shëndetësore të Llallës.
Sipas informacionit të ardhur nga Uashingtoni, bashkëshortja e Adriatik Llallës ka marrë shërbim mjekësor në Spitalin Haskensack, nga data 30 dhjetor 2016 deri në 2 janar 2017. Shpenzimet mjekësore kanë qenë në total në shumën e 22.981 dollarë nga të cilat shuma prej 17.469 janë mbuluar nga siguracioni, ndërsa shuma prej 5512 USD është paguar nga vetë pacientja. Duhet kujtuar se bashkëshortja e Llallës lindi një fëmijë atje. Kjo bëri që SHBA t’i bllokonte fillimisht vizën, pasi e pa si lëvizje që fëmija të merrte pasaportë amerikane.
Në letër-porosi është bërë me dije se për fëmijën e lindur është dhënë ndihmë mjekësore nga data 31 dhjetor 2016 deri në datë 3 janar 2017. Shpenzimet mjekësore kanë qenë në total në shumën e 7050 USD, nga të cilat shuma prej 4850 USD është mbuluar nga siguracioni ndërsa shuma prej 2200 dollarë nga vetë pacientja. Sipas dosjes, shpenzimet mjekësore në total kanë qenë në këtë rast 7712 USD. Sipas prokurorisë këtu kemi shkelje të ligjit, pasi çdo shpenzim mbi 300 mijë lekësh duhet deklaruar. Llalla në ILDKP nuk e ka deklaruar diçka të tillë.
Raportet me SHBA
Gjatë vitit 2019 Llalla nisi tentativat për të lobuar në SHBA me qëllim që të hiqej nga lista e zezë. Llalla punësoi në fillim të 2019 studion ligjore “Sher Tremonte LLP” për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit, i cili ka ndaluar ish-kreut të akuzës hyrjen në SHBA për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Sipas të dhënave të deklaruara nga “Sher Tremonte LLP” për periudhën 1 janar – 31 mars 2019, Llalla ka paguar afërsisht 10 mijë USD në tarifa dhe shpenzime për studion ligjore amerikane. Me zyra në “Broad Street” të Manhatanit –zemra e distriktit financiar të Nju Jorkut, “Sher Tremonte LLP” është një studio ligjore e specializuar në përfaqësimin e kompanive në konflikte tregtare komplekse si dhe probleme ligjore që lidhen me të ashtuquajturit “jaka të bardha”. Në datën 4 mars 2019, e përfaqësuar nga juristët Michael Gibaldi dhe Michael Tremonte, studio ligjore amerikane u regjistrua në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA si kompani lobimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Por edhe pas 2 vitesh Llalla vijon të ketë telashe me SHBA, duke mos dalë dot nga lista e zezë.
Diskutime rreth kësaj post