Ashtu siç gazeta e kishte paralajmëruar, Kolegji Zgjedhor do të nisë ditën e sotme shqyrtimin e ankimimeve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Pasi mbaruan zgjedhjet e 25 prillit koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim” dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi rezultatin për plot 9 qarqe, ndërkohë që për një pjesë të tyre Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dhënë vendim, duke rrëzuar pretendimet e PD dhe LSI.
Por vendimet e KAS kundër përsëritjes së zgjedhjeve në 9 qarqe e kanë zhvendosur 25 prillin nga KQZ-ja në Kolegjin Zgjedhor. E para që do të kalojë sot në filtrin e organit më të lartë të shqyrtimit të çështjeve zgjedhore është Gjirokastra, e cila do të merret në shqyrtim nga 5 gjyqtarët, ku koalicioni PD-AN, LSI dhe kandidati i Vetëvendosjes Kreshnik Mërxhani do të kërkojnë rrëzimin e vendimit të KAS-it, shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Selia blu pretendon se masakra elektorale është kryer para datës 25 prill duke akuzuar drejtuesit politikë të PS se në bashkëpunim me eksponentë të krimit kanë blerë votat, si dhe kanë vënë në dispozicion të mazhorancës të gjithë shtetin.
Por Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve e ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë informacione nga institucione shtesë, që sipas opozitës do të dëshmonte se si kryeministri Edi Rama së bashku me ekipin e tij morën mandatin e tretë.
Ndërsa partia e Monika Kryemadhit, e cila në Gjirokastër nuk arriti të merrte mandat, akuzon qeverinë dhe komitetin e ekspertëve se me vendimin për të lënë në karantinë dy javore çdo qytetar që kthehej nga Greqia ka ndikuar në rezultatin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Bashkinë Dropull.
Ndërkohë po ditën e sotme dhe madje në të njëjtin orar me Kolegjin Zgjedhor, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve do të shpallë vendimin për 3 qarqet e fundit të ankimuara nga subjektet politike, Elbasanin, Fierin dhe Korçën, për të cilat kërkohet përsëritja e zgjedhjeve. Kujtojmë që nga 15 ankimime KAS ka pranuar vetëm rinumërimin e disa QV në qarkun e Beratit dhe Durrësit, të kërkuara nga LSI, por vendim që në fund të procesit nuk ndikoi në rezultat, duke e lënë këtë parti pa mandate në këto dy qarqe.
Diskutime rreth kësaj post