Gjiganti teknologjik “Google” është paditur kohë më parë për diskriminim pasi nuk ka përfshirë gjuhën shqipe në listën e gjuhëve të mbështetura nga kjo korporatë.
Lobisti Haki Dervishi, shtetas amerikan dhe doktor, Neshad Asllani, njëherit edhe Rotarian e çuan këtë çështje në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, duke theksuar se ky përjashtim ka ndikuar në aspekte të ndryshme të zhvillimit në vendet ku flitet shqip.
Ndërkohë, Gjykata e Kalifornisë ka konfirmuar padinë ndaj Google për diskriminim e gjuhës shqipe, por nga ana tjetër gjiganti teknologjik, Google ka kërkuar shtyrjen e afatit deri më 18 dhjetor të këtij muaji.
Padia është ngritur sepse diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.
Neshad Asllani në një intervistë në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu ka folur rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë tutje.
Asllani tha se kjo është një temë shumë e rëndësishme si në Shqipëri, në Kosovë, po edhe kudo ku flitet gjuha shqipe në rajon.
Ai u shpreh se kjo padi është bërë për shkak të diskriminimit të gjuhës shqipe.
“Ne jemi befasu shumë kur e kemi pa një njollë të zezë në Evropë, ku Evropa është tërë e kaltër për shkak të mbështetjes nga Google, ndërsa njolla e zezë në vendin ku flitet gjuha shqipe. Pra, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe në diasporë. E kjo pikë, kjo njollë e zezë na ka shqetësu si Hakiun edhe mu, që të ndërmarrim diçka”, tha ai.
Sipas tij, duke i njohur të drejtat e njeriut dhe Hakiu duke e njohur sistemin amerikan kanë vendosur që të padisin Google për diskriminim të Gjuhës Shqipe.
Asllani tregoi se nëse një kompani, si gjiganti Google paditet për diskriminim, atëherë edhe për ta është shumë shqetësuese “se termi diskriminim është tepër i madh në Amerikë”.
Mirëpo, pasi Google është paditur nga Dervishi dhe Asllani, kjo kompani u ka dërguar një kërkesë.
Por, çfarë ka kërkuar gjiganti Google?
Asllani thotë se: “Pas pranimit të padisë, Google ka dërguar jo menjëherë, por pas nja 10 dite, një letër tek ne, e-mail, kërkesë për me e shty këtë seancë që ata mund të përgjigjen në këtë padi, dhe kanë kërku 15 ditë. Kjo është dërgu tek Hakiu, te unë dhe te këshilltarët tonë. Ne jemi këshillu me ata dhe kanë thënë që mund të nënshkruani, mund ta jepni pëlqimin, se është e zakonshme në sistemin amerikan që të jepet pëlqimi. Është një veprim i mirë që Google ka kërku që para 18 dhjetorit të ulemi e të bisedojmë”, thotë Asllani.
Ndryshe Asllani dhe Dervishi besojnë se Google do të shqyrtojë me interes këtë padi dhe konsiderojë shtimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të mbështetur nga kjo kompani.
Kjo do të sjellë risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, punësim, investime të huaja, marketing dhe informim cilësor duke iu mundësuar gazetarëve të bëjnë punën e tyre edhe më mirë.
Diskutime rreth kësaj post