Nga Mero Baze
Bashkimi Europian është përfshirë zyrtarisht në një polemikë publike me Partinë Demokratike në Shqipëri, lidhur me atë që Brukseli e dënon si përhapje publike të akuzave të rreme, që pretendonin se EURALIUS dhe delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të ligjit të verfikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deklarata, e cila u bë nga Maja Kocijançiç, zëdhënëse për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, tregon tensionin e ngritur mes Bruskelit dhe forcave që po bllokojnë reformën në drejtësi në Shqipëri.
Reagimi i Bruskelit pasoi daljen në një konferencë për shtyp të Partisë Demokratike, e cila kaloi në një version të ri të akuzave të saj, duke hamendësuar se dikush e ka çuar draftin në anglisht në Venecia përpara tyre, duke tejkaluar çdo fantazi për një teori konspiracioni mbarëbotërore kundër PD.
Përpara kësaj konference, PD ka sponsorizuar një agresion publik kundër ambasadores së BE në Tirana, Romana Vlahutin, dhe shefit të Euralius-it. Sulmet ndaj tyre kanë qenë linçuese, personale, politike dhe shpesh vulgare dhe të mbështetura mbi teori konspirative idiote. Mbi të gjitha dominonte linja e diferencës që ka Brukseli me Zyrën e Komisionit Europian në Tiranë. Pra akuzat linçuese ndaj tyre, mbështeteshin në faktin që Vlahutin dhe shefi i Euralius punonin këtu kundër interesave të Bashkimit Europian.
Sulmet nisën në fakt ende pa u miratuar reforma në drejtësi, në javën e fundit të saj, në takimin negociues më 20 korrik, ku të nesërmen PD e penduar që tha “Po” për reformën akuzoi gjermanin e Euralius-it, se i kishte mashtruar në takim dhe kishte përcjellë gabim mendimin e tyre.
Prej atëhere sulmet nuk rreshtën deri sot në mesditë kur PD përsëriti akuzat e saj ndaj zyrës së Euralius-it dhe BE në Tiranë.
Përfshirja e Bashkimit Europian në nivel kaq të lartë në një polemikë me një parti që kundërshton reformën në drejtësi në Shqipëri, është sinjal i fortë që Brukseli nuk tërhiqet nga mbështetja për reformën dhe ligjin e verifikimit të trupës së drejtësisë. Siç thuhet dhe në deklaratën e BE, akuzat tregojnë përpjekjet për të mbrojtur gjyqtarë dhe prokurorë të frikësuar nga reforma dhe për të vonuar zbatimin e saj.
Qëndrimi zyrtar i Brukselit nga ana tjetër është diçka pozitive për Shqipërinë, pasi ndan përgjegjësinë për bllokimin e reformës. Nëse deri më sot Brukseli ka folur për përgjegjësi të klasës politike në Shqipëri për këto vonesa, tani po flet me adresë konkrete duke polemizuar me bllokuesit.
Kjo është një shpresë se Komisoni Europian do ta konsiderojë bllokimin e ligjit për verifikimin, si një sulm politik të opozitës anti-reformë në Shqipëri dhe jo si një vullnet politik negativ nga Shqipëria. Ndarja e imazhit të PD, nga imazhi i Shqipërisë, në këtë rast ka rëndësi të veçantë. Fakti që Europa po tregon me gisht bllokuesit dhe nuk po njollos gjithë Shqipërinë, është i vetmi lehtësim që mund ta kemi nga kjo përplasje. Dhe për këtë duhet ta falenderojmë Sali Berishën, që është i pamposhtur në qëndrimin e tij kundër reformës dhe ka detyruar Bylyk-Bashën të dalë përditë kokëulur dhe të përsërisë sulmet e tij kundër BE, OSBE e SHBA. Të paktën kështu nuk njolloset gjithë Shqipëria. Nxin vetëm ajo pjesë që kërkon të nxijë Shqipërinë.
Diskutime rreth kësaj post