Nga Mero Baze
Projekti “1 miliardë euro” i infrastrukturës, duket se ka tronditur seriozisht opozitën dhe po përpiqet së paku ta diskretitojë atë. Është fjala për përfundimin e disa veprave të mëdha të infrastrukturës rrugore në Shqipëri si Rruga e Arbrit, Rruga Kardhiq-Delvinë, Bypass-i i Shkodrës, dhe disa objekte të karakterit social si spitali rajonal i Fierit, apo pikat e djegies së plehrave.
Opozita është tërësist konfuze në betejën kundër tyre, pasi e trajton më shumë si problem xhelozie, se sa si problem financiar, apo strategjik për Shqipërinë, përjashto retorikën e antikorrupsionit.
Të gjitha rrugët që do financohen nga projekti “1 milardë euro” përmes PPP, janë rrugë të nisura nga Partia Demokratike. PPP e parë që u dha, ajo për Rrugën e Arbërit, është një projekt i nisur qysh në vitin 2007 nga Partia Demokratike, e cila ngeli normalisht në mes për mungesë financimesh dhe PD filloi ta zgjidhte këtë me PPP përmes një kompanie kineze. Negociatat zgjatën pasi oferta kineze ishte e shtrenjtë. Të njëjtën gjë bëri dhe qeveria “Rama” më pas. Në negociatat me kinezët ata dështuan pasi ishte ofertë e shtrenjtë. Më në fund e zgjidhën me një kompani shqiptare.
Në fakt problem real i atij koncesioni është se Rruga e Arbrit nuk ka rëndësinë ekonomike apo sociale që mund të kishte Rruga Kardhiq-Sarandë, por për këtë nuk flet as Basha as Rama. Po ashtu nuk flasin as për projekte të mundshme alternative shumë më të lira siç është lidhja me Dibrën përmes Librazhdit për 45 minuta dhe përfitimi i një zone të gjerë të populluar nga kjo rrugë. Tani ajo u bë dhe ky debat nuk ia vlen. Por është i vetmi debat real që mund të bëhet për të.
Përsa i përket kostove dhe mënyrës si po financohet, PD nuk ka asnjë ndryshim nga kjo qeveri. Këta thjeshtë përmbyllën disa procedura të nisura prej tyre.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe rrugën Kardhiq-Delvinë. Ajo është 33 km, dhe shkurton 50 km nga rruga aktuale Tiranë-Sarandë, plus heq vështirësinë e Qafës së Muzinës, duke e bërë rrugën Sarandë-Tiranë për 2 orë e 15 minuta, duke llogaritur të përfunduar, ndërkohë Bayppass e Fierit. Kësaj rruge i kanë ngelur 17 km, por në pjesën e saj më të vështirë, dhe as PD as PS nuk e financoi dot. Tani po financohet me PPP. Kompanitë në garë janë po ato që fitonin në kohë të PD.
Edhe beteja kundër pikave të djegies së plehrave në Elbasan apo Fier, është e paqartë përse bëhet. Një debat është ai mjedisor. Opozita ka të drejtë të këmbëngulë për standardet e BE jo të shpikë standarde të veta. Nëse ato i kanë standardet e BE, ky debat është pa kuptim.
Sa i përket kostove financiare, ato janë të llogaritshme në çdo kohë dhe të ballafaueshme. Sa i përket emrave të përveçëm që opozita përmend aty, si sipërmarrës, Basha nuk i përmend, dhe s’ka se si ti përmendë pasi janë biznesmenë të njohur të kohës së PD. Së paku ish ministri i Financave të Berishës i njeh, se Basha njeh këta që kanë marrë leje në Bashki.
Po i përmend gjithë këto raste për të kuptuar përse është e shqetësuar opozita? Ato janë projekte të nisura nga opozita, po ndërtohen nga biznesmenë të lidhur me opozitën dhe po financohen me një formë që opozita e ka aplikuar.
Problemi real duket se ka të bëjë me frikën që opozita ka se rruga për kthimin në pushtet do të jetë e gjatë dhe kur të vijë do të jenë ezauruar shanset për përdorim të gjerë të PPP në infrastrukturë. Kjo është banale, por mund të jetë e vërtetë. E vetmja arsye që mund të bëjë të shqetësohet Lulzim Bashën, është kur shikon ndonjë shans të humbur për të pasur lekë nëpër duar.
Dhe nuk është se s’ka të drejtë. Pas dhjetë viteve, nëse efektet e investimeve në infrastukturë nuk justifikohen me rritje ekonomike, vendi mund të përballet me krizën e buxhetit dhe pamundësinë për të paguar interesat e borxhit dhe PPP. Për këtë ka të drejtë të debatojë dhe ta argumentojë financiarisht, por nuk e bën, pasi projekti më anti-ekonomik në këto PPP, është ai i Rrugës Arbrit, të cilin PD e vajton më shumë si xhelozi, që po e bën Edi Rama, se sa, si histori e një investimi të drejtë apo të gabuar. Njësoj siç po i trajton gjithë projektin e “1 milardë eurove”.
Diskutime rreth kësaj post