Pas eksperiencave të mbyllura përpara kohe me polakët e Legias së Varshavës dhe grekët e Olimpiakosit, pavarësisht se i udhëhoqi skuadrat drejt kualifikimit në fazën e grupeve të Championsit, Besnik Hasi është pranë rikthimit në detyrë.
Ish-kapiteni i Kombëtares cilësohet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e stolit të Genkut në Belgjikë, skuadër që së fundmi largoi nga detyra trajnerin Albert Stuivenberg. Me ekipin që renditet në vendin e nëntë në kampionat, drejtuesit e klubit vendosën ta shkarkonin holandezin për mosrealizimin e objektivit.
Besnik Hasi cilësohet si shpëtimtari i sezonit, edhe sepse 46-vjeçari e njeh mjaft mirë ambientin. Gjatë karrierës si futbollist, gjakovari ka luajtur 5 sezone me ngjyrat e Genk, në dy etapa të ndryshme, madje në vitin 1999 fitoi edhe titullin e parë kampion në Belgjikë si lojtar.
Rikthimi si trajner në Jupiler Pro League cilësohet si lëvizja ideale për Hasin, pasi njohuria e madhe që ka për kampionatin do ta ndihmonte të ringrinte kuotat si trajner, ndërsa ish-kapiteni kuqezi është përfolur edhe si alternativë për stolin e përfaqësueses kosovare.
Diskutime rreth kësaj post