Sot besimtarët myslimanë festuan festën e Kurban Bajramit! Drejtuesit fetarë dhanë mesazhe paqeje në këtë ditë feste.
Pas mbarimit të faljes së namazit të Kurban Bajramit e cila u bë edhe kësaj radhe në sheshin “Skënderbej”, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu bëri një deklaratë për mediat.
Spahiu tha se kjo festë duhet të shërbejë si pikë kthese duke iu larguar urrejtjes dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrit për të ndërtuar një botë sa më të mirë.
“Gëzuar të gjithë shqiptarëve. Është një festë që simbolizon sakrificën. Zoti me këtë donte të vinte një ligj në tokë. Jetojmë në një botë të globalizuar dhe kemi shumë sfida përpara për të bashkëpunuar me të tjerët.
Është një sfidë e madhe për të ndërtuar një botë të mirë. Duhet të punojmë për të bërë një botë më të mirë. Mesazhi për besimtarët myslimanë është të lënë pas urrejtjen dhe të jenë afër e të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin” – tha Spahiu.
Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme për të gjithë botën islame. Kjo festë simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me zotin.
Diskutime rreth kësaj post