Viti i Ri është koha në të cilën një vit i ri kalendarik fillon numërimin. Në shumë kultura, kjo festë festohet në të njëjtën mënyrë. Viti i Ri i kalendarit gregorian, sot në përdorim në mbarë botën, bie në 1 janar, ashtu siç ndodhte edhe me kalendarin romak. Ka kalendarë të shumta që mbeten në përdorim rajonal që e llogarisin Vitin e Ri ndryshe. Sipas traditës katolike, 1 janar është dita e rrethprerjes së Jezusit (në ditën e tetë nga lindja e tij), atëherë kur iu vu edhe emri.
Për babilonasit, viti i ri fillonte me rilindjen e Tokës, domethënë me pranverën. Por, përse viti i ri festohet në dimër, në datën 1 janar? Sepse romakët antikë, vazhdonin të festonin vitin e ri në marsin e vonuar, por kalendari i tyre ishte i ‘sinkronizuar’ me diellin. Kështu Jul Cezari, në vitin 46 para Krishtit, krijoi atë që ende edhe në ditët e sotme është i njohur si kalendari Julian, që stabilizonte fillimin e vitit të ri ditën e parë të vitit, pra në një janar. Këtë ditë romakët ftonin miqtë e tyre dhe shkëmbenin dhuratë një vazo të bardhë me mjaltë, dhe gjëra të tjera që ishin urim për fat dhe lumturi. Këtu ekzistonte dhe imazhi i Dea-s, e cila kishte domethënien e fatit dhe të lumturisë. Në shumë vende evropiane, përdornin kalendarin Julian. Ndërsa të tjerët e festonin vitin e ri sipas kalendarit të tyre për shembull në 1 mars (Viti i Ri në Romën Republikane) 25 dhjetor (Krishtlindjet). Vetëm me përdorimin universal të kalendarit Gregorian (nga emri i papës Gregorio XIII, i cili e ideoi në vitin 1582), data e 1 janarit shënon fillimin e vitit të ri duke u bërë një gjë e përbashkët për të tërë.
Data 1 janar është pranuar relativisht vonë në kulturën perëndimore si dita e parë e vitit. Deri në vitin 1751 në Angli dhe Uells (dhe të gjitha zotërimet britanike) viti i ri fillonte më 25 mars. Ndryshimi u bë në vitin 1600 në Skoci. Gjatë mesjetës disa ditë të tjera janë marrë si ditë të fillimit të vitit kalendarik (për shembull 1 marsi, 25 marsi, Pashkët, 1 shtatori, 25 dhjetori). Në shumë vende, të tilla si Republika Çeke, Italia dhe Britania e Madhe, 1 janari 1 është festë kombëtare.
Viti i Ri, traditat dhe besimet
Viti i ri është festë: e gjendjes së mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.
Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marr parasysh racën, fenë, kombin, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se, kremtimin e festës së Vitit të Ri, fillimisht e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë fillzënien e vetë e ka nga romakët e vjetër dhe germanët.
Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.
Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues;
Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën e festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri, të sigurohet sa më shumë llojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje. Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar konsiderohen si fëmijët më fatlum në botë.
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen. Njeriu i parë i cili do t’ju hyjë në shtëpi pas mesnate, besohet se, ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju.
Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë atë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t’ju sjell shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet e juaja gjatë tërë vitit të ardhshëm.
Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri të tentoni t’i paguani të gjitha borxhet që keni, sepse kështu viti që vjen, do t’ju sjell fillim të mbare në të gjitha fushat e jetës.
Portofolët mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t’ju përcjellë me shumë begati dhe pasuri financiare.
Diskutime rreth kësaj post