Ndryshe nga takimet e tjera me ish-kryeministrin Berisha, ku ambasadori Lu, ka shkuar vetëm, në takimin e radhës zhvilluar mesditën e të martës, ai shoqërohej edhe me shefin e OPDAT, Jon Simbert.
Në njoftimin dërguar medias, zyra e shtypit e ish-kryeministit thotë se qëllimi këtij takimi ishte dorëzimi i dokumentit të opinionit të Komisionit të Venecias të datës 26 shkurt 2016.
Ish-kryeministri citohet të ketë deklaruar se “dokumenti i Komisionit të Venecias përbën një bazë parimore, solide, të shëndoshë për të ecur përpara dhe për të kompletuar reformën në drejtësi”.
Berisha, thotë njoftimi, shprehu mendimin se është me shumë rëndësi që të fillohet, pa humbur kohë, me krijimin, sipas rekomandimeve të Venecias, të njësisë antikorrupsion, pasi Komisioni Venecias ka folur qartë se kjo njësi nuk mund të ndërtohet siç dëshironte Edi Rama, por sipas parimeve të hetimit të pavarur, raporton TCh.
Në takim duke folur për situatën në Parlament, Berisha është shprehur se, nëse disa muaj më parë kishte shprehur mundësinë e dorëzimit të mandatit, kjo ishte një mundësi hipotetike, por në kushtet e krijuara, me sjelljen nga Rama të Prengës në Parlament, ai e gjen shumë të vështirë pranimin e një Parlamenti të tillë, të përgjakur.
Diskutime rreth kësaj post