Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të hënë, ka folur për akuzat e SPAK për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në lidhje me çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani.
Berisha tha se dhëndri i tij nuk ka marrë as 10 % të pronave që i takojnë me ligj, duke qenë se është pronar nga gjyshërit.
“Me dacibaon e tyre, shkruajnë si fakt kundër meje, se procesi i kthimit të pronave 5 familje pronare të tokës, ka filluar në 2007-n. Ky është mashtrim publik që përbën vepër penale sepse bazohet në fshehje të dhjetëra dokumenteve zyrtare që faktojnë se procesi i njohjes së pronës 5 familjeve, ka filluar në 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005. Po ashtu kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës, ka filluar në 1995. Ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës dhe ka vijuar me vite deri në 2009-n. Për të mbështetur kallëzimin e tyre të rremë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se unë reformën e pronësisë dhe reformat themelore të PD, amendimin e ligjit të kompensimit të pronave, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili e vërteta është se nga të dy gjyshërit nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon. Sipas këtyre për këtë qëllim unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me 1 vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve për të faktuar provat e tyre. Po i pyes këta mender zyrtarë, po Fatos Nano që para meje kishte zgjatur jo me 1, por me 2 vite afatin në këtë ligj për pronarët, e bëri këtë për dhëndrin tim? Shalatanë mjeranë!”-tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post