Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një takim me departamentin “Brain Gain” në nderim të ditës së pavarësisë së vendit, nga ku ka bërë thirrje për revoltë dhe rrëzim të qeverisë. Kreu i “Foltores” Berisha ftoi shqiptarët për të rrëzuar këtë qeveri të regjimit të bandave, të drogës, krimit, korrupsionit.“Edhe njëherë ju falenderoj shumë përzemërsisht për këtë event të organizuar në këtë datë të të gjitha datave, të të gjitha festave të historisë sonë kombëtare. Falënderoj artistët e mrekullueshëm, përfaqësimin dinjitoz që i bënë kulturës sonë popullore, aq e pasur dhe e dashur për shqiptarët. Ftoj shqiptarët përsëri, kjo ditë të na frymëzojë në mënyrë që t’i japim përgjigjen më të merituar regjimit të bandave, të drogës, krimit, korrupsionit. Shqipëria sot loton në këtë 111-vjetor të Pavarësisë së saj.
Loton sepse një e treta e shqiptarëve janë larguar në 10 vite nga Shqipëria. Loton sepse shqiptarët sot janë kombi më i plaçkitur. Loton sepse pak vite më parë, ata ishin qytetarët me të ardhurat më të lartat në rajon, sot janë me të ardhurat më të ulëta. Loton se janë larguar nga ky vend 1 milion e 100 mijë shqiptarë, prej tyre 80 përqind të rinj. Janë mbyllur me qindra shkolla”, deklaroi ai. Po ashtu, Berisha theksoi se duhet që të gjithë të bashkohen dhe me të gjithë forcën të rivendoset sovraniteti i këtij vendi.“Sot shqiptarët presin me të drejtë nga PD, t’i prijë betejës pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë. Sot, shqiptarët me shumë të drejtë presin nga demokratët të ngrihen me guxim, kundër kësaj diktature të re. Denoncimi është njëra anë, por beteja gjer në fitoren e plotë është vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndaj dhe le të na frymëzojë kjo ditë për t’u betuar ne, se me të gjithë forcën tonë, do rivendosim sovranitetin e këtij vendi, do rivendosim demokracinë, do presim me forcën e idealeve tona, lidhjen fatale të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim. Do bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, njëlloj si qytetarët e vendeve të tjera të Europës, njëlloj siç kishim projektuar dhe parashikuar rilindësit tanë. Nderim përjetë Ismail Bej Vlorës, etërve të pavarësisë, por edhe qindra e mijëra shqiptarëve që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, u shpreh ai.
Berisha: Edi Rama duhet t’i ketë ditët e numëruara
Ndërkohë, Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama i ka ditët e numëruara. Sipas tij, Rama ka grabitur të gjitha pushtete në duart e tij.“Sovraniteti i vërtetë i një kombi jo në pushtim, në aspektin e brendshëm është fuqia e popullit për të kontrolluar qeverinë. Kurse sot ky njeri ka rrëmbyer, grabitur të gjitha pushtete në duart e tij. Beteja që bëjnë deputetët e opozitës në parlament, është një betejë për sovranitetin e Shqipërisë. Është betejë pikërisht për të ushtruar kontroll në emër sovranitetit mbi qeverinë. Nuk ka sovranitet të vërtetë pa kontrollin e qeverisë. Ky është sovraniteti i brendshëm. Këtë ka rrëmbyer totalisht Pashiqi i Tiranës. Ai kontrollon sot të gjithë ekzekutivin. Të gjithë të emëruarit në institucionet e këtij vendi, përveç se ndonjë jashtë mandati, kanë firmën e tij. Kontrollon totalisht pas një seleksioni të bazuar në besimin fetar, origjinën krahinore, bindjen politike, kontrollon totalisht drejtësinë. Kërkon ti marrë opozitës atë pushtet, veto që i garanton Kushtetuta e vendit, me qëllimin e vetëm që të kontrollojë qeverinë. E këtë nuk e lejon, nuk e lejon sepse ai është sot kryeministri ndër më të inkriminuarit në botë”, tha ai. Më tej Berisha theksoi se nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit. “Nuk e lejon se ka lidhjet më të rrezikshme me krimin në Europë. Nuk e lejon sepse ai vjedh me firmën e tij, çdo ditë, pasuritë dhe fondit publike të këtij vendi. Ndaj dhe ka zgjedhur të shkelmojë sovranitetin e shqiptarëve. Të vendosë diktaturën e tij personale. Kemi parasysh kushtet në të cilat Ismail Bej Vlora sfidoi të gjitha llojet e armiqësive, ambicieve, kundërshtive që ne sot të jemi të pavarur sot këtu. Edi Rama duhet ti ketë ditët e numëruara. Nuk mund të pranojmë kurrë një dhunues të sovranitetit. Një njeri i cili për pasurimin e tij, dhe pushtetin personal i ka rrëmbyer vendit, kombit në Shqipëri të gjitha pushtetet dhe punon ditë e natë kundër gjysmës tjetër të kombit, kundër Kosovës për çka e kanë quajtur me të drejtë, Pashiqi shqiptar, apo Pashiqi i Tiranës. Edhe njëherë ju falënderoj shumë për këtë organizim të shkëlqyer”, theksoi ai.
Kreu i “Foltores” sulmon SPAK
Nga ana tjetër nga Vlora, Berisha shtuar sulmet ndaj SPAK, madje ai ka kërcënuar hapur prokurorët se do të kenë fatin e Edi Ramës. Madje ai i etiketoi si “laro” të qeverisë. “Ky ka krijuar instrumente të reja, ka krijuar drejtësi të kontrolluar aq sa e kontrollonte Enver Hoxha. Ne nuk duhet të impresionohemi nga këto. Do i trajtojmë larot e tij njëlloj si Edi Ramën. Nëqoftëse ata bëhen vegla të verbëra që shkelin Kushtetutën, që shkelin ligjet ata nuk mund të na impresionojnë ne, ata nuk mund të na frikësojnë ne, përkundrazi ata vetëm sa na motivojnë ne më shumë në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi. Ndaj dhe e konsideroj jetike këtë përpjekje. Ta quajmë betejë pa kthim deri në përmbysjen kësaj narko-diktature, e këtij regjimi të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Jo ne do vazhdojmë, dhe do vazhdojmë me forcën më të madhe”, nënvizoi Berisha gjatë një takimi me demokratët në Vlorë. Po ashtu, ai u ndal edhe te privatizimi i ish-kompleksit “Partizani”. Berisha këmbëngul se nuk ka asnjë shkelje. Ai vijon të shprehet se ky është një hetim politik i dirigjuar nga Rama.
Diskutime rreth kësaj post