Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti thotë se PD-ja do të arrijë të dalë nga kjo situatë e vështirë në të cilën gjendet.
Deputetit Sali Berisha iu hoq imuniteti nga Parlamenti dhe kjo i hap rrugë SPAK-ut që të kërkojë masë shtrënguese sigurie.
Por çfarë do të ndodhë me PD-në në një situatë kur kryetari i saj mund të jetë i izoluar? Sipas Alizotit, i cili është i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Partia Demokratike merr më shumë forcë dhe energji në raste krizash dhe vështirësish.
“PD është një parti që është themeluar në vështirësinë e saj, është një parti që e vendos në vështirësi ka një aftësi të rigjejë veten. Opozita dhe PD do fillojë dhe do jetë po aq e fuqishme sa ka qenë por duhet të gjejë mënyrën. Opozita shqiptare është vënë në një sulm të paqenë, ka pasur një sulm të madh që ka qenë politik, mediatik, propagandistik plus dhe konflikti i brendshëm. Unë mendoj që shumë shpejt opozita nga ana teknike do gjejë zgjidhje. PD ka kaluar një krizë por është një parti që krizat i japin energji. Unë mendoj që kryetari do jetë prezent sepse Berisha është trashëgimia e PD”.
Alizoti thotë se Partia Demokratike ka një sfidë që të rifitojë besimin e qytetarëve.
“Duhet që PD të gjejë, ka një sfidë, si të gjejë zemrat e shqiptarëve si ta kthejë zemërimin e shqiptarëve. Kjo është sfida e madhe e opozitës. Ky është një proces që unë mendoj PD-në do ta bëjë më të fortë. Sot ndodhi teknikisht dhe bujrum të diskutojmë për të koordinuar dhe për të sjellë një PD moderne bashkë me frymën e Berishës”. tha ai.
Diskutime rreth kësaj post