Analisti Frrok Çupi, duke komentuar shtyrjen e gjyqit për Sali Berishës, theksoi se Sali Berisha e ka kuptuar se janë orët e fundit të lirisë së tij. Në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, ai tha se “fakti që Berisha shkoi në shtëpi është njësoj si çdo qenie tjetër humane, e cila e di ku e ka fundin”.
“Është kualiteti i drejtësisë së verbër, e cila i zbaton të tëra procedurat e ligjshme. Është e ligjshme secila prej tyre pavarësisht se ne e dimë se avokatët e Berishës duan të fitojnë kohë. Problemi i incizimeve dhe proces-verbaleve të gjykatës është taktikë e rëndomtë por për çfarë vlen? Shërben vetëm për të ngushëlluar klientin. Zakonisht ata që ndodhen në pozitat e Berishës e akumulojnë mashtrimin dhe i ndihmon për të shtyrë ditën. Ai ka kuptuar se janë orët e fundit. Fakti që shkoi sot në shtëpi është njësoj si çdo qenie tjetër humane, e cila e di ku e ka fundin. Me këtë rast, i vuri kryq edhe thashethemeve se do të pushtojë zyrën. Ai sot ka shkuar për t’u ngujuar në shtëpi si i arrestuar. Dhe la porositë e fundit, tha që nuk jam më. Ai e di që nuk do të jetë kurrë më jashtë burgut. Ka një kohë të gjatë tani brenda në arrest. Është duke paguar një gjë të madhe që i ka ndodhur Shqipërisë në pushtetin e tij”, tha analisti.
I pyetur për gjyqin për vulën e PD-së, analisti theksoi se Berisha nuk ka një grup politik por një ‘masë amorfe’ me disa persona.
“Kjo lë për të dyshuar, menduar se e gjithë drejtësia është fokusuar në këtë ekip, vepër penale të Berishës dhe jo të gjitha rrufetë i lëshon menjëherë mbi të. Ajo që mbetet në fuqi, gjykata e marsit të 2021, ajo është e vdekur si çështje. Berisha nuk ka një grup politik por një masë amorfe, 20-30 veta. Janë njerëz që nuk bëjnë dot politikë. Problemi është që drejtësia nuk pyet për emocione të tilla, do të bëjë rrugën dhe procedurat e veta por njëkohësisht e shikoni se edhe ata që quhen demokratë paskan pasur një ndarje prej kohësh me Berishën dhe nuk i shkojnë pas më. As legale nuk e ka më organizatën e vet, që shpesh merr nuancat e fisit, të kaosit dhe që nuk dëshmojnë për shpresë.”, shtoi Çupi.
Një koment pati edhe për vënien nën hetim të ish presidentit Ilir Meta.
“Jetojmë në një kohë kur Shqipëria po shpëton prej tyre. Janë si dy linja të mëdha, siç janë trenat që shkojnë në të njëjtin drejtim dhe shpesh bëjnë përplasje. Këta janë dy trena të mëdhenj krimi, që kanë organizatat e tyre. Secili prej tyre takohen në një pikë që partitë që kanë, sa herë që kanë pasur dorë në qeveri, kanë krijuar organizata kriminale. Meta ka qenë më i vogël herë pas herë në shërbim të Berishës dhe sa herë e ka parë që mund t’ja dalë. Nuk janë dy persona, dy presidentë dhe dy kryeministra që po shkojnë në dyert e drejtësisë. Fitore e madhe në sensin e drejtësisë. Shqipëria do të hyjë në hartën e kombeve më të përparuara për këtë gjë. Që me ndihmën apo pa ndihmën e SHBA dhe BE do të konsiderohet fitore e kombit shqiptar. Tani shteti fillon të bëhet modern si gjithë të tjerët.”, theksoi analisti./abcnews.al
Diskutime rreth kësaj post