Ish-kryeministri Sali Berisha duket se nuk do ta ketë të lehtë betejën me kryedemokratin Lulzim Basha për të rivendosur demokracinë brenda Partisë Demokratike, pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD. Pak ditë më parë në mënyrë surprizë shefi i selisë blu e përjashtoi Sali Berishën nga grupi, ndërsa disa orë më pas ish-kryeministri i shpalli luftë Lulzim Bashës dhe paralajmëroi një lëvizje kundër tij. Dy ditë më parë zoti Berisha zhvilloi një takim me demokratët e Tiranës, ku përveç sulmeve dhe akuzave që hodhi në adresë të zotit Basha, premtoi se do të mbledhë 1.500 firma të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar për referendum. Qëllimi kryesor dhe final i ish-liderit demokrat është zhbërja e vendimit të përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike përmes votës së anëtarëve demokratë që do të dalë nga referendumi.
Por gazeta i ka bërë një analizë situatës brenda PD dhe ndërkohë ka marrë si referencë statutin e Partisë Demokratike, teksa bie në sy se ish-kryeministri Berisha rrezikon disfatë nëse ia del të mbledhë 1500 firma, pasi kryedemokrati Basha është në pozita të forta dhe madje disa herë më i favorizuara se ish-lideri demokrat. Kështu, goditjen e fortë Berisha pritet ta marrë nga anëtarët e Kuvendit Kombëtar, aty ku Basha ka shumë impakt dhe shumica e tyre janë besnikë e mbështetës së tij. Kështu, në nenin 43, ku flitet për përbërjen e Kuvendit Kombëtar të PD, anëtarë janë kryetarët e seksioneve; sekretarët e grupseksioneve të PD; anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës; anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD; Anëtarët e Kryesisë së Partisë; deputetët e PD; anëtarë të PDSH-së; koordinatorët tematikë dhe funksionarët e Selisë Qendrore të PD, si dhe një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.
Mirëpo nga gjithë kjo armatë njerëzish, burime i thanë gazetës se shumica e tyre janë njerëz të Bashës. Ky i fundit ka pas vetëm thuajse gjithë deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, përveç katër 4 deputetëve që janë rreshtuar krah Berishës. Po ashtu, mësohet se Basha ka pas vetes 65 nga 70 kryetarë degësh të PD dhe shumicën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe Kuvendit, duke treguar se një referendum i mundshëm mund t’i kthehet në bumerang doktor Berishës. Pra, në kushtet kur Basha kontrollon Partinë Demokratike nga baza në qendër, Berisha rrezikon disfatë edhe nëse ia del të mbledhë 1500 firma, pasi shumica e anëtarëve do të votojnë kundër tij dhe për rrjedhojë pro Bashës në lidhje me vendimin për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së.
Madje, ai që i ka vënë kapak se ish-kryeministri Sali Berisha do të pësojë disfatë sa i takon betejës me Bashën, është sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili gjatë një prononcimi për mediat bëri me dije se nuk do ta njohin referendumi, pasi sipas tij, një gjë të tillë nuk e njeh statuti i PD. “PD-ja nuk e njeh referendumin. PS-ja e njeh, kryetari i asaj partie është zgjedhur me referendum, por jo PD-ja. Statuti nuk e pranon”, deklaroi Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post